Memorie.al publikon historinë e panjohur të Zija Mukës, intelektualit nga qyteti i Shkodrës i cili gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut studioi në Itali për Teknik Gjeometër dhe pas kthimit në atdhe e braktisi atë profesion dhe iu përkushtua gazetarisë, duke punuar në disa organe shtypi të asaj kohe dhe më pas si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve Botore dhe atë të Bujqësisë. Në periudhën e pushtimit të vëndit ai u caktua të punonte në Kosovë, ku e gjeti dhe mbarimi i Luftës, por nuk u kthye dot në Shqipëri pasi regjimi titist e akuzoi si “bashkëpunëtor të okupatorëve gjerman” dhe e dënoi me tetë vite burg politik, nga ku ai mundi të lirohet në 1949-ën, kur u prishën marrëdhëniet në mes dy vëndeve dhe ai u kthye në qytetin e tij të Shkodrës, si adhurues i Monarkisë së Mbretit Zog, ai refuzoi të merrte pjesë në të gjitha votimet që mbaheshin asokohe, deri në shëmbjen e regjimit komunist!
Gjatë gjithë periudhës 45-vjeçare të regjimit komunist të Enver Hoxhës, mosmarrja pjesë në votime, apo hedhja e votës kundër kandidatëve të Frontit Demokratik, që paraqiste PPSH-ja, përbënte një herezi që do t’i sillte shumë pasoja të rënda personit që s’pranonte të shkonte tek kutia e votimit dhe në rastin më të keq, ky veprim “paguhej” edhe me burg. Por ndonëse mjaft të rralla, ka pasur raste kur persona të ndryshëm nuk pranonin të votonin dhe nuk merrnin pjesë në zgjedhjet që organizoheshin për Kuvendin Popullor apo për Këshillat Popullore, duke i abandonuar hapur dhe në mënyrë demonstrative ato votime. Si p.sh. Zef Mala, themelues i Partisë Komuniste, që pas disa vitesh burg e internim, në një nga letrat dërguar kryeministrit Mehmet Shehu, ndër të tjera do t’i shkruante:
“Pushteti juaj mbaron te pragu i shtëpisë sime”, apo Hamit Gjylbegu nga Shkodra, i internuar në Elbasan, i cili nuk votoi kurrë në regjimin komunist duke e demonstruar hapur bojkton ndaj tyre. Një tjetër personazh nga ata të paktë rebelë që nuk kanë votuar gjatë regjimit komunist, ka qenë intelektuali shkodran Zija Muka, i cili mbahet mend nga të gjithë bashkëqytetarët e tij për mosmarrjen pjesë në të gjitha votimet e para viteve ’90-të. Por ndryshe nga Zef Mala dhe Hamit Gjylbegu, Zija Muka gjente mënyra të ndryshme që të mos votonte?!
Kush ishte Zija Muka, cila ishte e kaluara e tij, përse ai nuk merrte pjesë në votime dhe çfarë pasojash pati ai nga refuzimi që u bënte votimeve? Lidhur me këtë na njeh shkrimi që publikojmë më poshtë ekskluzivisht për Memorie.al, të cilën e kemi ndërtuar mbi bazën e informacioneve që kemi marrë nga disa të afërm të tij, por dhe persona të tjerë që e kanë njohur nga afër.
Kush ishte Zija Muka?
Zija Muka u lind në vitin 1912 në qytetin e Shkodrës, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së tij, mjaft e njohur në atë qytet. Shtëpia e madhe e Mukejve, e ndërtuar prej disa qindra vitesh, ndodhet edhe sot në qendër të qytetit të Shkodrës, fare pranë xhamisë së Parrucës. Babai i tij ishte familje qytetare shkodrane, nëna e Zijait ishte e bija e Oso Bilalit të famshëm nga qyteti i Ulqinit, i cili ka përfaqësuar ulqinakët në bisedimet me Portën e Lartë në Stamboll, për të luftuar kundër malazezëve. Babai i Zijait, Ramadan Muka, ka qenë i diplomuar për ekonomi dhe në vitet e Monarkisë së Zogut punoi si ekonomist në Pazarin e Ri të qytetit të Shkodrës. Ndërsa xhaxhai i tij ka qenë Shefqet Muka, drejtori i të parit gjimnaz laik të qytetit të Shkodrës. Veç të tjerash, familja Muka ka qenë e njohur edhe për lidhjet e saj miqësore me familjen Vuçiterni e Kosovës dhe Mulletët e Tiranës. Po kështu, familja e Zija Mukës kishte lidhje shumë të afërta miqësore edhe me Taip Alinë (babanë e ish-presidentit komunist të Shqipërisë, Ramiz Alia) dhe në shtëpinë e motrës së Zija Mukës (e cila ka qenë e martuar me ministrin e Zogut, Sali Vuçiterni) Ramiz Alia ka kaluar një pjesë të madhe të fëmijërisë së tij.
Titullar në Ministritë e Zogut
Pasi përfundoi mësimet në gjimnazin laik të qytetit të Shkodrës, me rezultate shumë të larta, Zija Muka shkoi në Itali ku bëri një kurs për gjeometër, por pas kthimit në Shqipëri, ai nuk e ushtroi fare atë profesion. Në fillimin e viteve ’30-të ai iu përkushtua gazetarisë, duke punuar për shumë kohë në organe të ndryshme të shtypit shqiptar të asaj kohe, ai ishte njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja. Në fillimet e karrierës së tij si gazetar, ai punoi si redaktor i rubrikave historike dhe më pas si gazetar i faqeve sportive për Tiranën dhe Shkodrën. Si gazetar sportiv, Zijai ndoqi disa aktivitete ndërkombëtare të vendeve ballkanike, ku morën pjesë dhe atletët shqiptarë, si në Bullgari, Rumani, Hungari etj. Gjatë viteve të studimit në Itali, Zijai u njoh dhe pati miqësi me piktorin e njohur shqiptar, Ibrahim Kodra, i cili i realizoi edhe një portret bashkëatdhetarit të tij, që Zijai e ruajti si një kujtim të shtrenjtë deri në fund të jetës së tij. Në mesin e viteve ’30-të Zijai u largua nga gazetaria dhe filloi punë në administratën shtetërore të Monarkisë së Zogut, si sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve Botore. Edhe pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste, ai vazhdoi të shërbente në administratën shtetërore, duke punuar si sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë. Gjatë asaj periudhe, qeveria shqiptare, e cila kishte nën juridiksion edhe Kosovën, e caktoi Zijain si përfaqësues të saj në atë krahinë për shpërndarjen e ndihmave. Këtë detyrë, të cilën ai e përmbushi me ndershmëri deri në mbarimin e Luftës, në dhjetorin e 1944-s, i krijoi disa probleme me regjimin titist të Beogradit, i cili e akuzoi atë si bashkëpunëtor të okupatorit gjerman dhe nuk e lejoi të kthehej në Shqipëri.
19 vite burg në Shqipëri e Jugosllavi
Regjimi titist i Beogradit jo vetëm që nuk e lejoi Zija Mukën që të kthehej në Shqipëri, por e nxori atë në gjyq dhe e dënoi me 8 vite burg politik, ku prokuror ishte Ali Shukriu, që njihej si pro titist. Zijai vuajti dënimin në burgun e Nishit deri në 1949,(vit ky që shënoi edhe prishjen e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave), fitoi pafajësinë mbas disa kërkesave të njëpasnjëshme. Regjimi titist jo vetëm që i dha pafajësinë, por i kërkoi që të qëndronte në Jugosllavi, duke punuar si gjeometër në qytetin e Ulqinit, ku ai kishte njerëzit e fisit të tij nga nëna. Por Zijai nuk pranoi të qëndronte dhe të punonte në Jugosllavi dhe po atë vit u kthye në Shqipëri, duke u vendosur në qytetin e Shkodrës. Për shumë vite ai qëndroi pa punë, pasi regjimi komunist i Tiranës nuk e kishte me sy të mirë për shkak edhe të funksioneve që kishte pasur gjatë viteve të Monarkisë së Zogut. Zijai, që ishte dhe vëllai i vetëm i pesë motrave, u detyrua të merrej me punë të ndryshme private për të siguruar jetesën. Aktivitetin privat ai e ushtroi deri më ’66-ën, kur regjimi komunist e ndaloi me ligj sektorin privat. Në atë kohë regjimi komunist e dënoi Zijain me 11 vite burg, gjoja për disa detyrime të pashlyera që ai kishte me shkollën Tregtare në Shkodër. Por në fakt arrestimi dhe dënimi i tij vinte për shkaqe të qëndrimit ndaj regjimit komunist në fuqi. Ai kishte shfaqur deri diku hapur që pas kthimit nga Jugosllavia më 1949, veç bindjeve politike zogiste, të cilat Zijai nuk ngurronte t’i shprehte hapur me miqtë e tij, që nga ’45-a ai nuk kishte marrë pjesë asnjëherë në votime. Ky ishte shkaku kryesor i burgosjes së tij dhe dënimi i tij me 11 vite, ishte më tepër një paralajmërim që ai të mos i refuzonte votimet. Si rezultat i kësaj, Zijai vuajt vetëm dy vite e gjysmë burg dhe e liruan, duke i thënë se “kishte fituar pafajësinë”.
Nuk votonte që nga 1945-a
Po përse nuk kishte shkuar asnjëherë në votime dhe si ishte justifikuar Zija Muka për mospjesëmarrjen e tij në zgjedhjet e mbajtura gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës? Arsyeja kryesore e mospjesëmarrjes në votime ishin bindjet e tij politike, pasi ai ishte një adhurues i flaktë i Monarkisë së Zogut dhe si i tillë ai ishte edhe një kundërshtar i regjimin komunist. Nisur nga ky fakt, ai kishte vendosur të mos votonte asnjëherë, si në zgjedhjet për Kuvendin Popullor, ashtu dhe zgjedhjet lokale për Këshillat Popullore. Por duke e njohur mirë natyrën e regjimit komunist, i cili nuk e kishte për hiçgjë ta përplaste atë burgjeve, Zijaj nuk dilte hapur kundër votimeve. Ai përdorte disa lloj justifikimesh për t’u mbrojtur për mospjesëmarrjen e tij në votime. Nisur nga fakti se kishte ardhur në Shqipëri vetëm më 1949, Zijai thoshte se nuk figuronte në asnjë nga regjistrat e gjendjeve civile dhe normalisht as në listat e votimeve. Kur e kërkonin në Shkodër për të votuar, ai thoshte se e kishte emrin në listat e gjendjes civile të Tiranës, pasi aty kishte banuar nga mesi i vitetve ’30-të dhe gjatë pushtimit të vendit. Po kështu një justifikim tjetër i tij ishte ai se gjoja e kishte pashaportizimin në Kavajë, pasi në atë qytet Zijai kishte banuar për disa vite, kur motra e tij Pertefe Muka Mulleti, kishte qenë e internuar familjarisht. Këto justifikime ai i përdori edhe pas daljes nga burgu më 1968-ën, burg të cilin e kishte bërë pikërisht për shkak se nuk merrte pjesë në votime. Nisur nga fakti se ai u bë një person shumë problematik për regjimin, disa qytete ku ai kishte banuar, si Shkodra, Tirana dhe Kavaja, nuk dëshironin që ta kishin atë në listat e zgjedhësve, pasi ai u ulte përqindjen e pjesëmarrjes në votime. Jo vetëm që nuk donte të votonte, por nuk dëshironte të kishte asnjë lloj lidhje me regjimin dhe për ta konkretizuar këtë, në dhomën e shtëpisë ku banonte (në Parrucë), ai kishte shkëputur energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm, që ia siguronte shteti. Por për të mos u krijuar probleme njerëzve të familjes dhe të afërmëve, ai jetonte krejt i vetëm dhe nuk u martua. Më të shumtën e kohës Zijai e kalonte në dhomën e tij duke lexuar libra dhe duke shfletuar arkivin mjaft të pasur dokumentar që dispononte. Në dhomën e tij, ai mbante të varur në mur dhe një foto të Mbretëreshës Geraldinë, ndaj së cilës kishte të njëjtin adhurim si për Mbretin Zog dhe miqve të tij të ngushtë ju fliste hapur për të. Ai dilte rrallë nga shtëpia dhe miqtë e tij më të ngushtë ishin intelektualë shkodranë, të njohur si antikomuniste, si: Hamit Gjylbegu, Izet Bebeziqi, avokat Koliqi, pianistja e famëshme, Ida Melgushi etj., dhe disa klerikë katolik që regjimi komunist i konsideronte si “krerë të reaksionit”.
Presionet për të votuar
Presionet e vazhdueshme të regjimit komunist ndaj Zijait, që ai të merrte pjesë në votime, nuk pushuan edhe në fillimin e viteve ’80-të, kur ai ishte në një moshë tashmë të thyer. Në atë kohë presionet filluan të kanalizoheshin në drejtim të familjarëve dhe fisit të tij, në mënyrë që ata ta detyronin për të votuar. Kështu, në zgjedhjet e vitit 1982 (për Kuvendin Popullor) Komiteti i Partisë së Shkodrës thërri dy nipat e tij, Jusuf dhe Vildan Tufi, duke u thënë atyre që ta detyronin dajën e tyre për të votuar, pasi në rast të kundërt ata do të pushoheshin nga puna si inxhinier dhe pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik. Mbas shumë lutjesh, ata e detyruan Zijain që të shkonte në votime. Dhe duke e mbajtur për krahësh, ata e shoqëruan atë deri në qendrën e votimit, ku dhe e prezantuan me komisionin përkatës. Zijai e mori letrën e votimit dhe pasi shkoi në dhomën e fshehtë, veprim të cilin nuk e bënte njeri në atë kohë, e futi atë në kuti në mënyrë demonstrative. Pas kësaj, ai u largua i vetëm për në shtëpinë e tij dhe në të gjithë Shkodrën u hap lajmi se Zija Muka kishte votuar. Por kjo gjë nuk kishte qenë e vërtetë, pasi, kur u hapën kutitë e votimit, aty u gjet një letër e bardhë, e ndryshme nga ato të votimeve. Atë e kishte futur Zijai dhe letrën që ia kishte dhënë komisioni, ai e kishte marrë me vete në xhep dhe e kishte djegur sapo kishte shkuar në shtëpi. Në një rast tjetër ai i kërkoi komisionit që të futej në dhomën e fshehtë, dhe ata duke e ditur se ai do votonte kundër, për të mos u prishur shifrat 100%, i thanë të largohej, pasi gjoja nuk e kishte emrin në listat e tyre. Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, Zijai nuk reshti së shkruari Ramiz Alisë (të cilin e kishte dhe kushëri), për të kërkuar të drejtat e tij, por nuk mori kurrë përgjigje prej tij.
Pas ’90-s, votonte për Leka Zogun
Zija Muka, pati fatin të jetonte gjatë dhe të merrte pjesë edhe në zgjedhjet që u bënë pas viteve ’90-të, kur u shemb ai regjim. Në zgjedhjet e para pluraliste të ’91-it Zijai shkoi në votime dhe pasi mori fletën ku ishin shënuar emrat e subjekteve elektorale, kërkoi emrin e Leka Zogut. Dhe pasi nuk e gjeti atë, e shënoi vetë me stilolaps dhe pastaj e futi në kutinë e votimit. Në zgjedhjet e tjera që pasuan ai votoi rregullisht për Partinë Lëvizja e Legalitetit, pasi ishte një idhtar i vjetër i asaj force politike dhe personalisht i Mbretit Zog. Zija Muka u nda nga jeta në moshën 89 vjeçare, në 23 janar të vitit 2003 dhe ai mbahet mend nga të gjithë bashkëqytetarët e tij shkodranë, si njeriu që nuk votoi kurrë gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës. /Nga Dashnor KALOÇI/