(Foto ilustruese) Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin mëngjesin e sotëm. Mësohet se në rrugën “Don Bosko” ka pasur të shtëna me armë.
Sipas informacioneve të para dyshohet se një i ri ka vrarë me armë zjarri një vajzë të identifikuar si Xhuljeta Çuni, 19- vjeç dhe më pas ka qëlluar edhe veten. Ndonëse nuk ka ende informacione zyrtare, raportohet se djali, i identifikuar si Xhaferr Mata, 31- vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë dhe është transportuar në spital. Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet.
Kalimtarët dhe banorët e zonës kanë parë tmerr me sy teksa kanë parë dy të rinjtë të shtrirë përtokë e të përgjakur.
Kujtojmë se nuk kanë kaluar as 6 muaj nga krimi i ngjashëm në kryeqytet, kur Aldison Belulaj, 23 vjeç vrau pranë QSUT-së Arjela Muratin, studente e juridikut dhe më pas qëlloi veten. Pak kohë pas qëndrimit në koma, edhe Belulaj ndërroi jetë.
Informacion paraprak i policisë
Më datë 08.06.2018, rreth orës 08:10, në zonën e Don Boskos, ne rrugen “Eshref Frasheri”, shtetasi Xh.M., 31 vjeç dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri pistolete shtetasen Xh.Ç., rreth 19 vjeçe, e cila ka ndëruar jetë në vendngjarje.
Autori më pas ka qëlluar dhe veten me armë zjarri ku aktualisht është transportuar ne spital ne gjendje te rende per jeten. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes.