Kur në radio BBC dëgjohej zëri i Anton Logorcit, duke analizuar se si po shkeleshin të drejtat e njeriut në Shqipëri, i vëllai Filipi, po vuante të gjithë egërsinë e diktaturës komuniste nëpër birucat e burgut famëkeq të Shkodrës së viteteve të para të komunizmit. Filip Logoreci, ishte fëmija i shtatë i familjes Logorci në Shkodër. Sapo kishte përfunduar gjimnazin. Natyrisht kishte ëndrrat e tij për të vazhduar studimt e larta si fëmijët e tjerë të Logorecëve. Është ndër ndër familjet e spikatura në Shkodër e mbarë vendin, për traditën e dijes, kultures e patriotizmit. Por Filipi nuk do të mund ta vazhdonte traditën sepse regjimi kishte vendosur të lëshonte mbi të, të gjithë mllefin monstruoz për kundërshtarin e regjimit.
I vëllai i Filipit, Anton Logoreci, ishte në atë kohë drejtues i sektorit për Shqipërinë dhe Evropën Lindore në radio BBC, në Londër. Anton Logoreci ishte një ndër analistët më në zë të BBC në atë kohë dhe mjaft aktiv për ngjarjet që po ndodhnin në vëndet e kampit komunist. Natyrisht Shqipëria dhe regjimi komunist, zinin një vënd të rëndësishëm në analizat e tij. Sa më shumë fjalë lëshonte Anton Logoreci kundër regjimit komunist, aq më shumë ngushtoheshin hekurat nëpër kyqet e këmbëve dhe duarve të njoma të të vëllait gjimnazist, Filip Logorecit.
Janë katë vite të mundimshme nëpër birucat e burgut të Shkodrës, atje ku u torturuan e u vranë qindra kundërshtarë të regjimit komunist. E ka rrëfyer historinë e Filipit, bashkëvuajtësi i tij i burgut, Zef Staku, dhe na vjen përmes një artikulli të botuar në Shkodranews, nga pinjolli i i kësaj familje Pjetër Logoreci. Në këtë rrëfim, ka detaje shumë të dhimbshme të ditës së fundit të Filip Logorecit në burgun e Shkodrës.
Vakti i fundit
Familja e Filipit kishte sjellë disa ushqime dhe vshjmbathje sipas rregullores, pasi lejohej një herë në tre muaj që familjarët të mund të kujdeseshin për të burgosurin. Filipit nuk i lejohej takimi me familjen. E ëma Maria nuk e kishte parë qysh ditën kur e arrestuan dhe nuk e dinte se çfarë po ndodhte me të birin. Ashtu në heshtje e ëma e la atë çantë me ushqime e veshje për të birin dhe u largua zemërthyer. Pas pak gardiani i burgut u shfaq në qelinë ku ndodhej Filipi dhe shokët e tij…Me ulurima ai thirri në derën e qelisë: … Cili është Filipi?! … hajde të marrësh ushqimin që solli familja…!
Por Filipi nuk mund të çohej sepse ai nuk i kishte as duart, as njërën këmbë. Doktori i burgut kishte vendosur tia priste pasi nuk kishte zgjidhje tjetër. Për shkak të shtrëngimit të hekurave gjymtyrët e Filipit ishin gangrenizuar. Filipi jetonte si në ferr me dhimbje e rënkime. Bashkëvuajtësi i tij, Zef Staku, kujdesej çdo ditë për të duke u përpjekur ta ushqeje, ta lajë e ta ndërrojë me aq mundësi sa kishte.
“Filipi nuk mund të ngrihet, zotni komandant”, u dëgjua zëri i Zef Stakut përtej hekurave, “ai asht shumë i smurë e ka ra në kllapi prej ethesh…”. Kapterri hodhi mbi çimento tasat e ushqimit duke mallkuar Filipin, Lekën e gjithë të tjerët…
Zef Staku, e mori çantën me ushqime që nënë Marija kishte dërguar për Filipin dhe u përpoq ti jepje një lugë me lëng mishi. Por Filipi ishte shumë i sëmurë e nuk mund të hante as të pinte. Në qeli ishin 13 veta. Askush nuk bzante në respekt të orëve të fundit të jetës të shokut të vuejtjeve. Në qeli vazhdon heshtja. Filipi është në grahmat e fundit por po përpiqej të belbëzojë disa fjalë. Zefi arrin të kuptojë përmes belbëzimesh: … Zef, … nanës, mi ço fjalë nanës…, … i thuej që e kam dasht shumë… nanës…Zef”
Prej së largu u dëgjuan këmbanat e kishës, ndërsa Zefi përshperiste lutjen e fundit për shpirtin e Filipit. Pas pak orësh dëgjohet përtej hekurave edhe britma e nanës Mari. /Marrë nga Kujto.al/