Një lajm i trishtë për Universitetin “Luigj Gurakuqi” por edhe Shkodrën është mësuar ditën e sotme. Është ndarë nga jeta zëvendësdekania e Fakultetit të Shkencave Shoqërore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” Prof.as.dr. Nevila Dibra.
Ajo vuante nga një sëmundje e rëndë, betejën me të cilën nuk arriti ta fitojë duke u larguar nga jeta në moshë të re dhe në kulmin e mundësive për të kontribuar për universitetin dhe Shkodrën. Lajmin e trishtueshëm e ka shpërndarë rektorja e Universitetit “Luigj Gurakuqi” Prof. Dr. Suzana Golemi, e cila shkruan:
Të nderuar kolegë, miq e bashkëpunëtorë,
Me hidhërim të thellë mësuam lajmin tronditës të ndarjes nga jeta të koleges, mikes sonë të dashur, prof.as.dr. Nevila Dibra, zv/Dekane e Fakultetit të Shkencave Shoqërore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Prof.as.dr Nevila Dibra ka qenë pjesë e Departamentit të Gjeografisë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” që nga viti 1993. Ajo ka dhënë kontributin e saj si kërkuese shkencore në fushën e gjeografisë, turizmit dhe mjedisit me një sërë artikujsh, librash shkencorë, organizime dhe pjesëmarrje në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo ka kryer me devotshmëri funksione të ndryshme si përgjegjëse e departamentit të Gjeografisë në vitet 2012 – 2020, anëtare e Senatit Akademik të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” për shumë vite, dhe është dalluar për kontributin e lartë dhe energjinë e saj pozitive për zhvillimin e Fakultetit të Shkencave Shoqërore Universitetin e Shkodrës. Studentët do ta kujtojnë prof. as. dr. Nevila Dibra si lektoren e aftë dhe dashamirëse; kolegët si pedagogen e përkushtuar; miqtë si shoqen unike.
I shprehim ngushëllimet më të thella familjes dhe të gjithë të afërmve për këtë humbje të madhe e të parakohshme!
Qoftë i përjetshëm kujtimi i saj!
Rektori
Prof. Dr. Suzana Golemi
Ceremonia e lamtumirës dhe homazhet në nderim të prof. as. dr Nevila Dibra do të zhvillohen me datë 28/06/ 2022 në ora 10.30- 11.30, pranë hollit të auditorit A3 në Godinën e Rektoratit të Universitetit të Shkodrës.
ShkodraWeb i shpreh ngushëllimet e veta familjarëve, të afërmëve, miqve dhe kolegëve të të ndjerës.