Ish-kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare. Kanë qenë familjarët dhe të afërmit e Sejdinit ata që kanë ndarë lajmin.
Mësohet se Sejdini vuante prej një kohe të gjatë nga një sëmundje e rëndë. Qazim Sejdini ishte ndër figurat më të rëndësishme të PS dhe drejtoi për tre mandate Bashkinë e Elbasanit nga viti 2007 deri në vitin 2019 kur vendosi të mos rikandidonte më.
Kush ishte Qazim Sejdini
Qazim Sejdini e ka nisur karrierën politike nga posti i prefektit në vitin 2002. Ai kishte qenë më parë President i Shoqatës së Doganierëve të Shqipërisë dhe president i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri.
Sejdini kishte përfunduar studimet e larta për Histori-Gjeografi në universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit si dhe në institutin e Edukimit Fizik “Vojo Kushi” në Tiranë në vitet 1983-1987.
Ai u zgjodh kryetar i Bashkisë së Elbasanit në mars të vitit 2007, detyrë që e mbajti deri në vitin 2019 kur hoqi dorë nga kandidimi për kryetar bashkie.