Ditën e sotme, janë nxjerrë të pajetë nga Përroi i Thatë Pjeter Gjok Rushaj, 49 vjeç, nga Plani i Pultit dhe djali i tij 14 vjeçar Jason. Pjeter Gjok Rushaj rrjedh nga familja e Nik Nokës, me një reputacion të veçantë në të gjithë Dukagjinin për meritat e saj ndër breza. Nga ky truall lindi akademiku Mark Thani, Pal Thani dhe 14 pjestarë nga kjo familje, të pushkatuar dhe të burgosur nga sistemi komunist përfshi këtu edhe Terezina dhe Liza Pali.
Në vitin 1951 familja e tyre ndërtoi të parin “mikrohirocentral” me kapacitet prej 50 llampash duke ndriçuar objektet e fshatit Plan (marrë nga libri “Dukagjini”i prof. Dr. Zef Gjeta fq. 176.).
Prej shumë vitesh Pjetri është marrë me ndërtim në emigracion. Pas kthimit në Shkodër është shquar si sipërmërrës dhe specialist në fushën e ndërtimit, ku spikasin objekte të veçuara si “Kulla e Bajraktarit” si dhe buni në Bogë apo kryqi i përmasave të mëdha në të cilin janë gdhendur emrat e 82 dëshmorëve të rënë në luftën kundër malazesve, ndërtuar në vitin 2018.
Gjithashtu ai ka kontribuar në të gjitha rrugët dhe urat e ndërtuara dhe të rikonsturtara në zonën e Pultit në administrim të kryetarit të Njësisë Administative të zonës z. Tom Noka si dhe në objekte të ndryshme infastukture dhe vepra të kultit në Gimaj dhe Shalë.
Gjithashtu është kontribues pothujse në të gjitha aktivitetet e ndryshme kulturore dhe artistike të zonës si dhe të rrethinave me ish- administrator z. Tonin Deda.