Pavarësisht vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik që i dha të drejtë Bashkisë Shkodër për procedurën e ndjekur për privatizimin e KF Vllaznia, biznesmeni Almiro Gurakuqi nuk ka ndër mend të ndalet në kontestimin e këtij procesi.
Mësohet se biznesmeni në fjalë, bazuar në pikën 3 të vendimit të KPP-së të datës 17.08.2021 ku thuhet se “kundër këtij vendimi, mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë”, e ka ndjekur këtë procedurë.
Ankimi i tij është depozituar në këtë Gjykatë, por edhe në Bashkinë Shkodër, megjithatë kjo e fundit mendohet se do të vazhdojë me procesin e privatizimit, përderisa nuk ka një vendim përfundimtar nga Gjykata.
Kuptohet që secili ka të drejtë të ankimojë çdo vendim, megjithatë është një procedurë e cila po zgjat më shumë sesa duhet dhe kjo padyshim që është në dëm të Vllaznisë, megjithatë të gjithë shpresojnë që tashmë çdo gjë të marrë fund shpejt.
Procesi ka nisur prej muajsh dhe duhej të kishte përfunduar tashmë, megjithatë ankimimit e mundshme e kanë zgjatur atë, por mesa duket tashmë gjërat po shkojnë drejt fundit dhe procesi do të konkretizohet shumë shpejt me shpalljen e Alban Xhaferi si kandidat i vetëm i mbetur në garë, fitues të këtij procesi të privatizimit.
Nëse do të ketë një vendim Gjykate pastaj, është çështje tjetër, megjithatë ende nuk është e qartë sesa do të zgjasë marrja në shqyrtim dhe vendimi i saj. /ShkodraSport/