Ditën e sotme u raportua për një aksident në rrugën Shkodër- Velipojë, në afërsi të Berdicës. Fillimisht informacionet ishin të pakta dhe dihej vetëm se një makinë tip fuoristradë “Range Rover” kishte dalë nga rruga duke humbur jetën drejtuesi i mjetit.
Fillimisht, as vetë policia në komunikatën zyrtare, nuk kishte mundur të identifikonte të riun. Me kalimin e orëve, u arrit të identifikohej viktima. Ai ishte i riu rreth 29 vjeç, Isa Kotrri nga një familje e vjetër shkodrane.
Ndërsa nuk janë zbardhur akoma zyrtarisht nga policia rrethanat e aksidentit fatal për të riun, në rrjete sociale janë të shumta mesazhet e të afërmëve, miqve dhe të njohurve të Isa Kotrrit. Ata shprehin dhimbjen e tyre për këtë ikje shumë të parakohëshme nga jeta.
Ndërkohë, mësohet se i riu jetonte prej vitesh jashtë vendit. Me shumë mundësi, kishte ardhur në vendlindje për festat e fundvitit. Makina me të cilën u aksidentua, nuk është e 29 vjeçarit thonë burime nga policia e Shkodrës.
ShkodraWeb i shpreh ngushëllimet familjes, të afërmëve, miqve e të njohurve të të riut Isa Kotrri.