Humbja e një palë gërshërëve ka ngritur alarm në burgun e Drenovës. Dy ditë më parë, në IEVP Drenovë kanë humbur një palë gërshërë që përdorin infermierët për nevojat e të burgosurve.
Sipas burimeve bëhet me dije se në shërbim ka qenë një infermier nga Korça i cili pretendon se i ka lënë gërshërët në Infermieri, por kur është bërë inventari ato mungonin.
Burime kofidenciale thonë se dyshimet janë të mëdha lidhur me këtë ngjarje. Dyshohet se i burgosuri i sigurisë të lartë Klement Ibrahimi të jetë ai që i ka marrë gërshërët, gjatë kohës kur po merrte serum në spitalin e burgut.
Ajo çka e bën alarmante situatën është fakti se në këtë burg ndodhet i penduari i drejtësisë Lefter Reçi i cili ka “spiunuar” Emiljano Shullazin dhe Lul Berishën. Dyshimet lidhen mes këtij personi dhe personave të tjerë që mund t’iu rrezikohet jeta brenda në burg.
Janë ushtruar kontrolle te çdo i dënuar por gërshërët nuk janë gjetur ende. Ditën e djeshme mësuam se në IEVP Drenovë kanë shkuar forca operacionale e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe po hetohet lidhur me këtë rast.