Teuta mposhti 3-0 dje Vllazninë në finalen e Superkupës. Sfida e zhvilluar në “Elbasan Arena” ishte me dy fytyra për shkodranët, që në pjesën e dytë panë gabime foshnjarake në prapavijë. Goli i parë nga Aleksi, realizuar në të 58 minutë, erdhi si pasojë e një gafe të pabesueshme të Zogovic.
Dita “jo” nuk ishte vetëm për gardianin e shkodranëve, që sezonin e shkuar ishte nga më të mirët në portë sa i takon portierëve të Superligës. Gafa e radhës vjen në të 63 minutë, kur Gruda gjen golin e dytë dhe të qetësisë.
Kapiteni Gurishta u duk i pasigurt në ndërhyrje, duke lejuar sulmuesin kundërshtar që të fitonte topin dhe kohën për të dribluar edhe portierin e Vllaznisë. Një tjetër mangësi në qendër ishte edhe Fallou Diagne, mbrojtësi i afruar në merkato.
Duket se 32 vjeçarin nga Senegali nuk është ambientuar me Adilin në prapavijë, duke lënë shpeshherë të pambuluar kundërshtarët, ndërsa ishte edhe në kundërkohë disa herë.
Humbja e Vllaznisë i ka shkaktarët, me shkodranët që nuk prisnin një dorëzim aq të lehtë në Superkupës. Lajm i mirë për Brdaric është se tanimë i di defektet, por edhe cilësitë e të rinjve. Heric apo Çoba treguan se e meritojnë një fanellë titullari.