Një humbje me Laçin dhe analizat e shumta për skuadrën e Vllaznisë nuk kanë munguar. Listës së gjatë të atyre që e njohin mirë ambjentin kuqeblu i është shtuar dhe një emër i njohur, ish-futbollist dhe trajner, Hysen Dedja.
Në një lidhje direkte me emicionin “Rubrika Sportive” në Radio Tirana, Dedja ka theksuar: “Humbja me Laçin, ndoshta i ka shërbyer kampionatit, por nuk i shërben Vllaznisë.
Megjithatë, situata të tilla njihen gjatë rrugës në një kampionat, i shikojmë dhe në kampionate shumë më të mira se i joni, që skuadrat që komandojnë kampionatin, gabojnë. Por dinë të nxjerrin mësime. Dikur drejtuesit e mi më thoshin se mësime duhet të nxjerrim edhe nga fitorja”.
“Mendoj se humbja për Vllazninë ka ardhur në momentin e duhur, diferenca është gjashtë pikë dhe e kanë mundësinë të reagojnë. Edhet tani bëhen më të forta, e kanë më të lehtë skuadrat që ndjekin, se sa skuadra që ruan vendin e parë. Skuadra ka një organizim shumë të mirë, një frymë shumë të mirë, duhet të dinë ta mbajnë. Kam besim se do ia dalin mbanë”.
“Një vlerësim për pozicionin e skuadrave në klasifikim? Për Laçin kam menduar se ndodhet në pozicionin e gabuar, sepse ka lojtarë mjaft të mirë. Fituan me meritë në Shkodër.
Të njëjtin mendim kisha edhe për Kukësin, por humbja e fundit mendoj se e nxjerr jashtë loje për të pretenduar titullin. Pikët janë në tavolinë, janë aty, por me gabimin që ka bërë këtë javë, më duket e pamundur. Ndërsa skuadrat e tjera mendoj se janë në vendin e duhur”.
“Te Vllaznia ekziston një frymë e mirë dhe shpresoja se do e shfrytëzonin për mirë, por në ndeshjen e fundit pashë lojtarë që ishin të lodhur. Ndoshta duhen lënë edhe pushim, për të menaxhuar forcat. Skuadra nuk duhet të demoralizohet nga një humbje, nuk ka ndodhur asgjë.
E thashë edhe më parë, humbje të tilla u ndodhin edhe skuadrave të mëdhaja. Sinjalet u dhanë edhe në ndeshjet e mëparshme, me Kastriotin në Shkodër, me Partizanin në Elbasan, duhet parë se çfarë duhet korigjuar”.