Thomas Brdariç kthehet përsëri në pankinë. Por nëse mendoni se eksperienca e tij me Vllazninë në futbollin shqiptar e ka ndihmuar të bëjë një hap cilësor në karrierë, gaboheni. Trajneri gjerman pritet të emërohet në stolin e një klubi gjysmëamator në Gjermani, bashkë me djalin e tij Tim.
Sipas “RP” në Gjermani, Brdariç pritet që në ditët e ardhshme të prezantohet si trajneri i ri i skuadrës së SV Straelen në Ligën Rajonale Perëndimore në Gjermani, kategoria e katërt e piramidës së futbollit gjerman. Një klub që cilësohet gjysmë-amator e ku objektivi madhor do të jetë qëndrimi në gjysmën e sipërme të tabelës së klasifikimit.
Një vendim i çuditshëm po të llogaritësh se në eksperiencën me Vllazninë ai fitoi një Kupë Shqipërie dhe arriti të kalonte ture në Ligën e Konferencës.
Por me sa duket, kaq nuk mjafton në CV për të bërë hapa para edhe në futbollin gjerman, ndaj kjo ka detyruar trajnerin që ta nisë përsëri nga kategoritë e ulëta në këtë vend.
Ashtu si te Vllaznia, në këtë aventurë pritet ta shoqërojë edhe djali i tij, Tim, i cili do të jetë pjesë e skuadrës që do të drejtojë babai i tij i famshëm si lojtar në Gjermani, por me sa duket jo edhe aq si trajner.