Koordinatori politik i PD-së për Qarkun e Shkodrës Helidon Bushati, i është përgjigjur koordinatorit të PS-së Ilir Beqaj, lidhur me situatën ekonomike në vend. Ish- ministri Beqaj, me një shënim në Facebook, nënzizonte se “Janë 3 mijë vetë në gjithë qarkun e Shkodrës që përfitojnë drejtpërdrejt nga kjo rritje page”, duke iu referuar pagës minimale që është ngritur në nivelin 20 mijë lekë në muaj. Bushati ka preferuar ti përgjigjet homologut socialist, duke përcjellë disa shifra, në një shkrim më të gjatë, por përsëri në Facebook.
“Pasi e varfëroi dhe e shpopulloi Shqipërinë, pasi mbylli me qindra vende pune dhe çoi biznesin në faliment, qeveria mendon për rrogën minimale, një premtim ky i kahershëm i Partisë Demokratike! Ironik është fakti që i dërguari i qeverisë thotë se përfitojnë 3 mijë individë në qarkun e Shkodrës. Por nuk thotë, sa qytetarë humbën vendet e punës në këto 8 vite, nuk thotë sa biznese u mbyllën, nuk thotë sa u zgjerua numri i familjeve në ndihmë sociale, nuk thotë sa të rinj e braktisën vendin!
Në mënyrë të frikshme, në një hark kohor prej një viti, ka kapërcyer nga vendi i tetë në vend të tretë, duke rezultuar kështu një nga tre qarqet me numrin më të lartë të papunësisë në vend.
Ka një rritje me 6.4%, duke arritur kështu në 15%, nga 8.6% që ishte në tremujorin e tretë të vitit 2019.
Biznesi, burimi kryesor i punësimit, si pasojë e mungesës së politikave mbështetëse fiskale, përgjatë vitit 2020 është gjendur në ditët më të vështira. Si pasojë, në qarkun Shkodër aktualisht rezultojnë 65% më shumë subjekte të kaluara në status pasiv, duke e rritur në 414 numrin e bizneseve të mbyllura.
Ky është realiteti në qarkun Shkodër përtej propagandës! PD, ka një ofertë të qartë:
Rritje reale të pagës minimale, rritje reale të pensioneve, mbështje biznesit, ulje të ndjeshme të taksave dhe zero taksa vendore për biznesin e vogël, mbështetje turizmit dhe agroturizmit, investime në shëndetësi, arsim dhe siguri. Mbështetje dhe shpresë për rininë! Partia Demokratike beson te një qeveri eficiente, që funksionon në shërbim të qytetarëve dhe jo në kurriz të tyre.
Vendit i duhet një qeveri që punon për qytetarët dhe jo pushtetarë e qeveritarë mamuthë të korrupsionit. Bashkë do t’ia dalim!”, përfundon përgjigjen e tij për Beqajn koordinatori i PD-së Bushati.
Më herët, në faqen e tij zyrtare në Facebook, Ilir Beqaj do të publikonte këtë shënim:
“Prej datës 1 janar 2021, paga minimale është 30 mijë lekë në muaj. Është rritur njëherazi me 4 mijë lekë. Janë 3 mijë vetë në gjithë qarkun e Shkodrës që përfitojnë drejtpërdrejt nga kjo rritje page. Do të kenë jo vetëm pagë më të madhe, por edhe do të mund të gëzojnë një pension më të madhe në pleqëri.”. /ShkodraWeb Media/