Ardit Krymi është një nga lojtarët kyçë të Vllaznisë dhe prezenca e tij në qendër të mesfushës vendos shumë ekuilibra në lojën e shkodranëve. Ai beson se kuqeblutë do të bëjnë një tjetër kualifikim madhështor në Ligën e Konferencës, duke përmbysur AEL-in të enjten në Shkodër.
Në një intervistë titullari i Vllaznisë flet për shanset që ka skuadra në përballjen me qipriotit. Krymi mendon se ekipi duhet të jetë më konkret në aspektin sulmues, pasi këtë herë duhet të shënojë patjetër. Mesfushori shpreson që me mbështetjen e tifozëve, çdo gjë do të bëhet edhe më e thjeshtë në fushën e lojës.
Ardit, një humbje minimale në ndeshjen e parë në Qipro. Për mënyrën se si shkoi loja, mendoni se mund të merrnit diçka më tepër apo ky rezultat është i pranueshëm?
Po, mendoj se meritonim diçka më shumë në atë takim. Luajtëm si të barabartë ndaj AEL-it dhe pavarësisht se humbëm 1-0, jam i bindur se i kemi të gjitha shanset për një kualifikim në turin tjetër.
Pse besoni te përmbysja në Shkodër?
Mendoj se rezultati 1-0 është i mirë, pasi tashmë rregullorja ka ndryshuar dhe goli në fushë kundërshtarë nuk të favorizon më. Duke dhënë maksimumin në ndeshjen e kthimit, kemi besim të madh se do të shënojmë të paktën një gol dhe më pas do t’ia dalim për kalimin e turit.
Në çfarë aspekti duhet të korrigjohet Vllaznia për takimin e kthimit?
Në fazën sulmuese duhet të jemi më të qartë si ekip. Në këtë aspekt është e detyrueshme që duhet të bëjmë më shumë. Që të kualifikohemi, detyrimisht duhet të shënojmë në këtë përballje, kështu që të gjithë si ekip presim të jemi më konkretë në fazën sulmuese.
Fakti që luani me tifozë, është ky një faktor shumë i rëndësishëm në këtë moment për një kualifikim tjetër?
Shpresoj që tifozët të jenë sa më të shumtë në numër sesa në takimin ndaj Shirokit, pasi kemi shumë nevojë për ndihmën e tyre. Natyrisht ka një kufizim për numrin e tyre, por me mbështetjen që do të na japin, besoj se do të na i bëjnë edhe më të lehtë.
Në sezonin e fundit Vllaznia nuk e fitoi dot titullin vetëm prej golavarazhit. Si e shikoni ekipin aktual, është më i fortë apo jo?
Boshti i ekipi është ruajtur. Grupi që është aktualisht i ka të gjitha mundësitë për të ecur shumë para edhe në sezonin e ri.