Ashtu siç ishte e pritshme, presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend ligjin për Kodin Zgjedhor, i cili u miratua në 5 tetor. Në dekretin e kreut të Shtetit, ky veprim argumentohet për faktin se maxhoranca duhet të reflektojë duke rishikuar kodin.
Kreu i shtetit ndër të tjera bëri të ditur se në 21 tetor iu drejtua Komisionit të Venecias për një opinion të specializuar mbi këtë proces. “Si President i Republikës, në datën 21 tetor 2020, i jam drejtuar me një kërkesë urgjente Komisionit Europian për Demokraci përmes Ligjit (Komisionit të Venecias) për një opinion të specializuar dhe objektiv mbi këtë proces.”, thuhet në arsyetim.
Po ashtu, në këtë dekret thuhet se kryeministri Edi Rama shkeli marrëveshjen e ‘5 qershorit’.
“Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 tetor 2020, cenojnë parimin e procesit të rregullt ligjor, si dhe të drejtën për të zgjedhur e për t`u zgjedhur, e mbi të gjitha parimin e barazisë së votës.”, thuhet në arsyetimin e presidentit.
Kujtojmë e ndryshimet në kodin Zgjedhor u miratuan me 97 vota pro, ku përveç deputetëve të opozitës, pro tij votuan dhe disa kolegë opozitarë.
DEKRETI I METES
Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 118/2020 – Arsyet e kthimit për rishqyrtim të ligjit
DEKRET
“PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 118/2020
‘PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10019, DATË 29.12.2008, ‘KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË’, I NDRYSHUAR’”
Në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe të nenit 93 të Kushtetutës,
Dekretoj
Kthimin në Kuvend për rishqyrtim të ligjit nr. 118/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, ‘Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar”, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti dhe pjesë përbërëse e tij.
Nr. Dekretit 11797
Tiranë, më 22.10.2020
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META