Surpriza e javës së 18-të në Kategorinë Superiore, padyshim që ishte fitorja e Laçit në “Loro Boriçi” përballë Vllaznisë. Një moment jo për kuqeblutë, një humbje që u ka dhënë mundësinë rivalëve të afrohen, distance është ngushtuar në gjashtë pikë.
Në një lidhje direkte me emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, ndihmësi i Brdariç, Elvis Plori ka bërë një analizë të situatës së kuqebluve:
“Normalisht që ndihet mërzia, por nuk është bërë nami. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse e dinim që një ditë humbja do të vinte, e kuptojmë më mirë pjesën kur pësojmë humbje, duhet të jemi më të fortë”.
“Përballë kishim një skuadër të fortë, na ka mundur dhe në fazën e parë, me një lojë shumë të mirë. Bëmë disa ndryshime në lojë, e vlerësuam maksimalisht këtë sfidë, por Laçi e meritoi fitoren, pavarësisht se diferencat në lojë nuk ishin të mëdha”.
“Nuk ditëm të shfrytëzonim gabimet e portierit të Laçit. Pas golit të barazimit, gabuam. Gabuam si skuadër, sepse kaluam pak në eufori dhe menduam se mund ta fitonim ndeshjen. Duhet të tregonim kujdes, por gabuam dhe u ndëshkuam”.
“Mungesa e Krymit dhe Markut që u dëmtua u ndje në skuadër, prandaj them se në momentin që barazuam, duhet të stabilizoheshim. Dëmtimi i Markut mund të zgjasë rreth dy javë, ndërsa për Krymin, nëse e lejon rregullorja, do bëjmë pagesën e gjobës për ta rikthyer”.
“Duhet të jemi të drejtpërdrejtë, kur sulmuesi nuk shënon, pavarësisht se nuk ka fare presion, ndihet i nervozuar. E ka presionin vetvetiu”.
“Vllaznia nuk është surprizë në kampionatin shqiptar, jo se jam unë apo Brdaric aty, por të parët tanë kanë krijuar një emër, një fanellë të rëndë. Edhe nëse dalim kampion, nuk mund të quhet surprizë”.
“Arbitrimi? Nuk duam të kemi tendenca. Gjyqtarët mund të gabojnë, është normale, por kur ka tendenca është diçka shumë e keqe”.
“Kemi nevojë për një organizim, një vrull, sepse tani fillon një kampionat i vërtetë, nuk duhet të mendojmë fare se jemi gjashtë pikë para. Duhet të tregojmë sa më shumë uri. Është gjysma e kampionatit dhe tani duhet të shikojmë një Vllazni të etur për kampione, i kemi të gjitha kapacitetet dhe mundësitë për të marrë titullin”.