Mediat italiane kanë zbardhur dëshminë e njërit prej anëtarëve të grupit të Moisi Habilajt, ndërkohë që pritet vendimi për ta. Antonio Riela, një nga të prangosurit në operacionin “Rosa Dei Venti”, ka rrëfyer për hetuesit italianë detaje për trafikun nga Shqipëria në Itali, si dhe për rolin e Moisi Habilaj në këtë rrjet.
Agjencia italiane e lajmeve “Meridio News” ka publikuar dje një pjesë të procesverbalit të marrjes në pyetje të Rielas nga hetuesit italianë. Një nga blerësit e “mallit” që vinte nga Shqipëria, italiani Antonio Riela, ka dëshmuar në Prokurori gjithë sa dinte.
Ai ka thënë se kishte rënë dakord për çmimin e mallit, të cilin në vijim e shiste te njerëz të besuar në Katania. Rezulton se italiani ka pasur lidhje të ngushtë me Moisi Habilaj, i cili njihet edhe si kushëriri i ishministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Moisiu më siguroi duke më thënë se ai ishte i mbrojtur dhe ndihmohej nga një person shumë i rëndësishëm në Shqipëri. Ai ka qenë gjithmonë i qetë dhe më jepte dhe mua qetësi dhe siguri se ky person i rëndësishëm e lejonte dhe e ndihmonte që të eksportonte ngarkesa të mëdha të marijuanës. Ma ka thënë dhe emrin e këtij personi, por unë nuk e mbaj mend”, mësohet të ketë thënë përballë hetuesve të antimafias italiane Riela.
Ai gjithashtu pranon se ka shoqëruar Moisi Habilaj te një shitës bizhuterish të çmuara, që banonte pas Gjykatës së Katanias. Ai dinte që Habilaj do të shkonte në Shqipëri, pasi në dhjetor të 2013-s bleu dy byzylykë me diamante me vlerë prej katër mijë eurosh. “Një ditë përpara se Moisi të nisej për në Shqipëri, ka blerë bizhuteri për bashkëshorten e një personi me emrin Fatos. Moisi më ka thënë se ky person ka qenë bosi i drogës në Shqipëri, por asnjëherë nuk ma ka treguar mbiemrin e tij”, ka thënë 47-vjeçari italian.
Sipas hetuesve të Krimeve të Rënda, bizhuteritë, me vlerë rreth katër mijë euro, ishin dhurata të destinuara për gruan dhe nënën e ish-ministrit Tahiri. Hipotezë kjo, e hedhur poshtë si nga politikani shqiptar, ashtu edhe nga vetë Habilaj. Kujtojmë se Prokuroria e Katanias ka lexuar pretencën dy javë më parë për anëtarët e grupit Habilaj.
Organi i akuzës së Katanias ka kërkuar plot 90 vite burg për anëtarët e bandës së drejtuar nga Moisi Habilaj. Prokurori, i cili hetoi këtë dosje, Antonio Bonomi ka kërkuar 18 vjet e katër muaj burg për Moisi Habilajn, i cili ndodhet në qeli që nga fundi i 2017-s.