Nikollë Sherrniku, një nga personat e arrestuar si i përfshirë në ekzekutimin e efektivit të Policisë Xhulio Prela, do të qëndrojë në burg. Në bazë të provave të paraqitura nga Prokuroria, Gjykata e Apelit në Shkodër ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” për Nikollë Sherrnikun.
Përmes avokatit të mbrojtjes ky i fundit kishte kërkuar zëvendësim të masës së sigurisë, me pretendimin se nuk ka lidhje me ngjarjen. Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës së Apelit në Shkodër, sqarohet e gjithë dinamika e ngjarjes para dhe pas ekzekutimit të efektivit të Policisë Xhulio Prela.
Efektivi i Policisë Xhulio Prela u ekzekutua në orët e para të mëngjesit të 5 dhjetorit të vitit 2020, teksa po kthehej nga Shkodra. Ngjarja ndodhi në superstradën Lezhë-Milot pranë fshatit Gajush të Lezhës. Ndaj 26-vjeçarit u qëllua tri herë me pistoletë dhe një nga plumbat e ka prekur në zemër, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti të çastit për dritat e makinës, ndërsa hetimet për vrasjen ende nuk janë mbyllur nga Prokuroria e Lezhës.
Nga kamerat e sigurisë të një karburanti në afërsi të vendit të ngjarjes, rezulton se në orën 02:05, automjeti i viktimës lëviz në rrugën interurbane kryesore në vendin e quajtur Gajush, me drejtim lëvizje Lezhë-Milot dhe kthehet pas rreth një minute, ku pas tij duket dhe një automjet tjetër fuoristradë, marka dhe targat e së cilës nuk dallohen.
Pasi qëndrojnë rreth 12 sekonda të ndaluar, në rrugë duket një person i paidentifikuar, i cili qëllon disa herë në drejtim të makinës së punonjësit të Policisë dhe largohet me shpejtësi në drejtim të Lezhës. Më tej, evidentohet se nga këqyrja e pamjeve filmike të marra nga një biznes tjetër në afërsi të Milotit, rezulton se pas orës 02:06 në superstradë nuk kalon asnjë mjet tjetër, veç fuoristradës së dyshuar si e përfshirë në këtë ngjarje kriminale.
Makina tip fuoristradë, e larguar nga vendngjarja 18 minuta më vonë është pikasur nga një kamera që ndodhet te hidrovori në “Grykë Lumi” dhe itinerari i saj thuhet në vendim përputhen me distancën e përshkruar.
Hetimet kanë zbuluar se makina e përdorur në krim është në pronësi të Nazmi Xhijës, ndërsa ky i fundit ka treguar në Polici se e kishte lënë makinën te servisi i Naim Muratit për ta shitur. Gjatë marrjes në pyetje, Naim Murati ka treguar se makinën ia ka shitur një personi që quhet Hysen Bajraktari në vlerën financiare prej 600 mijë lekësh të vjetra, por gjatë marrjes në pyetje ai ka deklaruar se ia kishte shitur Ylli Halilit.
Ky i fundit, me origjinë nga Fushë-Kruja, rezultoi se kishte ndërruar jetë në nëntor të vitit 2020. Por, gjatë këqyrjes së telefonit të Bajraktarit i është gjetur një foto e makinës dhe një person i identifikuar si Nikoll Sherrniku. Por, ky i fundit ka mohuar në vazhdimësi që të ketë lidhje me ekzekutimin e policit Xhulio Prela, me pretendimin se natën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë duke festuar datëlindjen në banesën e së fejuarës së tij në Mamurras të Kurbinit.
Në dëshminë e tij ai mësohet të ketë thënë se ka një servis makinash dhe makinën në fjalë e kishte riparuar dhe se nuk është përdorur prej tij. Ndërkohë, në lidhje me ekzekutimin efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës është shpallur në kërkim dhe Brilant Martinaj, me dyshimet se mund të ketë qenë dhe ai në automjetin foristradë të përdorur në ngjarje.