Vllaznia u mund 1-0 sot nga Partizani, por fitorja 3-1 në ndeshjen e parë i jep shkodranëve kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Nuk mund të mos jetë i lumtur pas ndeshjes zëvendës- trajneri i ekipit nga Shkodra, Vioresin Sinani.
“E dinim që ishte një ndeshje e vështirë, luanim përballë Partizanit, që është një nga skuadrat më të mira në vend. E tillë është Kupa dhe jemi të kënaqur që arritëm që të kualifikoheshim në gjysmëfinale të këtij turneu.
Jam i kënaqur për performancën e portierit Qarri, pasi djemtë e rinj janë arma më e fortë e Vllaznisë. Ata janë e ardhmja e Vllaznisë. Qarri sot ka bërë pritje të shumta, ka meritë te kualifikimi, por është djersa e të gjithë skuadrës. Mund të luanim më mirë, por jemi të kënaqur me kualifikimit, duke ditur edhe vlerat e kundërshtarit.
Vllaznia eksperte e Kupës? Jam i bindur që do të shkojmë deri në fund të Kupës dhe kampionatit, që janë objektivat tona. Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh dhe besoj që Vllaznia do të jetë pretendente deri në fund si në kampionat edhe në Kupë. Në ndeshjet e Kupës vlen vetëm kualifikimi, prandaj jam i kënaqur me rezultatin e sotëm. Nuk kemi frikë asnjë nga kundërshtarët e mundshëm në gjysmëfinale”, tha ai.