Drejtuesja politike e PS- së për Qarkun Shkodër Elisa Spiropali, vijon takimet me strukturat e kësaj partie por edhe me të zgjedhur në qeverisjen vendore dhe deputetë.
Në selinë rozë të Shkodrës, u zhvillua takimi i radhës, me pjesëmarrjen e bashkëkryetarëve, kryebashkiakëve të PS- së dhe drejtuesve të tjerë në qeverisjen vendore si dhe deputetit Benet Beci.
Në një shënim në Facebook, shoqëruar me foto, Spiropali shpreh edhe një farë keqardhje teksa shprehet “Në atë sallë do doja të shihja edhe shumë aktivistë e drejtues të tjerë që i kam njohur ndër vite, në opozitë e në qeveri”, duke lënë të kuptohet se në PS Shkodër nuk ka një frymë bashkimi akoma.
“Shkodër – Me strukturat e Partisë Socialiste folëm hapur mbi nevojën për thellimin e riorganizimit, bashkimin e të gjitha kontributeve, afrimin e të rinjve & të të paangazhuarve, bashkëpunimin dhe punën me njerëzit.
Në atë sallë do doja të shihja edhe shumë aktivistë e drejtues të tjerë që i kam njohur ndër vite, në opozitë e në qeveri. Jam e bindur se me besim dhe përkushtim do t’ia dalim ta kthejmë PS-në në alternativën e progresit dhe të shpresës për Shkodrën. Bashkë!”, shkruan Spiropali në publikimin e saj në Facebook. /ShkodraWeb/