Detaje te reja pas ngjarjes se rende te ndodhur mbreme, kur një 30-vjeçar ndërroi jetë në Spitalin e Shkodrës, pasi ishte dërguar në gjendje të rëndë. Mengjesin e sotem policia ka mundur te identifikoje autorin e ngjarjes. Sipas policise ai eshte Enderis Dodaj, 25-vjecar, i cili dyshohet se ka kryer aktin nga pakujdesia ndaj 30 vjecarit Petrit Biba, me origjinë nga Mirdita.
Ai u dërgua në gjendje të rëndë në Spitalin e Pukës, rreth orës 20:30, por për shkak të gjendjes kritike, u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Shkodrës, ku edhe ndërroi jetë.
Burimet thanë se ngjarja ka ndodhur pranë një HEC-i, në fshatin Kaftallë të Pukës. Sipas Policisë, ai kishte plagë me armë zjarri tejshpuese në bark, që dyshohet se janë shkaktuar nga një armë automatike.
Për shkak të errësirës, por edhe për arsye se i plagosuri është transportuar nga banorët e zonës drejt spitalit, Policia ende nuk e ka gjetur armën e krimit.
Viktimës fillimisht i është dhënë ndihma e parë nga mjekët e urgjencës në spitalin e Pukës, por sipas Policisë plumbat i kishin dëmtuar disa organe jetësore e për pasojë nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të krimit, duke shoqëruar fillimisht për të marrë në pyetje personat që e kanë gjetur të plagosur. Ata kanë deklaruar se nuk e njohin të plagosurin, pasi nuk është banor i zonës.
Ndërsa kanë mohuar të kenë parë ndonjë konflikt mes tij e ndonjë personi tjetër.