Ilda Zaja nuk është më mes nesh! Një lajm i trishtë për ikjen e një njeriu të zakoshëm të Shkodrës. Jemi mësuar të mbushim rreshta për VIP- a, jo pak prej të cilëve mbase nuk kanë merituar as vemendjen minimale. Por për hir të profesionit, jemi detyruar ti pasqyrojmë. Sot është ndryshe, shumë më ndryshe. Ikën një zonjë shkodrane, profesioniste e vertetë dhe mbi të gjitha, rrezatonte mirësi vazhdimisht, bashkë me optimizmin e saj.
Nga afër e kam njohur në vitin 2013 për shkak të administrimit të një medias lokale, të cilën financiarisht prej vitesh, e administronte Ilda. Impakti i parë shumë pozitiv. E thjeshtë, e qeshur, bashkëpunuese dhe e palodhur në komunikim. Ditë pas dite, njohja iu afrua përherë e më shumë miqësisë. Komunikimi i shpeshtë jo vetëm për çeshtje pune por edhe familjare, theu shpejt barrierat.
Ilda të imponohej me profesionalizmin, aftësinë e gjetjes së zgjidhjes për çdo problematikë që lidhej me profesionin e saj por edhe përtej. Edhe nëse qendroje në kafe 10 minuta me Ildën, konstatoje se kishte shoqëri të gjërë. Telefonata e mesazhe pafund, përshendetje me njerëz në të gjitha anët. Përherë e buzëqeshur, në çdo moment e gatshme për të orientuar e ndihmuar.
Pas 2017- ës rrugët tona u ndanë. Ilda në përditshmërinë e angazhimeve të saj, unë në një tjetër pozicion jo brenda mediave. Takoheshin shpesh, ndoshta jo për kafe por për tu ndalur dy minuta në këmbë. Pyetjet e zakonshme për shendetin e familjet, buzëqeshje, optimizëm dhe një shtrëngim duarsh. Ne raste të tjera, nga biçiklate një pershëndetje se Ilda nxitonte…
Sot mësova lajmin e trishtë. Ilda kishte humbur betejën me sëmundjen e rëndë. Kam përshtypjen se ishte humbja e parë dhe e fundit e një zonje, një simboli të padukshëm të gruas shkodrane. Përballoi me dinjitet çdo moment të jetës së saj, ashtu siç edhe i buzëqeshi me mirësi e optimizëm çdokujt që e njohi.
Lamtumirë e mira Ildë! Ike shumë shpejt, papritur por le pas një kujtim të veçantë tek secili që të njohur! Pushofsh në paqe! /Nga Blerti DELIJA/