Akademia e Shkencave e Shqipërisë (AshSh) prezantoi sot rezultatet mbi fazën e dytë të studimit seroepidemiologjik për gjendjen e imunitetit të popullsisë në situatën e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, sipas të dhënave prej depistimit.
Studimi i përket periudhës nga qershori deri në muajin dhjetor.
Rezultatet u paraqitën nga akademiku Genc Sulçebe dhe prof. Alban Ylli, të cilët deklaruan se popullsia e Tiranës ka fituar 50% imunitet, ndërkohë që në pjesën tjetër të Shqipërisë imuniteti është 25%.
Imuniteti tregohet referuar antitrupave të krijuara nga qytetarët, shumica asimptomatikë.
“Në Shqipëri niveli i imunitetit dhe i kontaktit me virusin duket se është 25%. Imuniteti është ende i ulët përvec Tiranës ku presim valë më të ulta. Në Tiranë imuniteti ëhstë 50%, por ende popullata e pergjitshme ka potencial te qarkulloje virusin. Është lajm i mirë imunizimi në kryeqytet, por nuk ka arsye të festojmë”,- tha Ylli.
Kujtojmë se, Akademia e Shkencave ka ndjekur në vazhdimësi nivelin e imunitetit të fituar në popullatë ndaj Sars Cov-2, nëpërmjet testimeve serologjike të realizuara nga specialistёt imunologë, pjesë e shërbimit të imunologjisë pranë QSUT, anëtarë e bashkëpunëtorë të Akademisë.
Akademia e Shkencave, nëpërmjet E-grupit “Në ndjekje të pandemisë”, komisionit të mjekësisë e njësive pranë saj, kreu një studim paraprak për reagimin e imunitetit dhe të fituarit e autoimunitetit në muajt maj-korrik 2020. Në atë fazë u dëshmua se numri i të infektuarve ishte 6-7 për qind, disa herë më lart se numri i të prekurve përmes diagnostikimit me tampon.