Pesë vjet më parë do të ndahej nga jeta shumë para kohe nga një sëmundje e rëndë, një nga pionerët e shtypit të lirë shqiptar dhe gazetarët më të spikatur Fatos Baxhaku. Ai do të mbahet mend edhe si pedagogu që orientoi dhe futi në gazetarinë shqiptare një numër shumë të madh gazetarësh, të cilët vazhdojnë të kontribuojnë akoma edhe sot.
Fatos Baxhaku (Tiranë, 9 janar 1964 – 16 gusht 2019) ka qenë gazetar, publicist dhe pedagog shqiptar, një nga pionierët e shtypit të pavarur prej fillimit të viteve ’90. Autori i njohur i reportazheve të shkruara dhe televizive, studiues i historisë, një penë e mprehtë kritike e tranzicionit shqiptar. Fatos Baxhaku u nda nga jeta në moshën 55-vjeçare.
Baxhaku ka lindur ne Tiranë më 9 janar ne 1964, i biri i pedagogut Shaban Baxhaku. Shkollimin e parë e kreu në shkollat asokohe 8-vjeçare “Emin Duraku” dhe “20 Vjetori”, (sot Dora D’Istria). Shkollimin e mesëm e kreu në gjimnazin “Ismail Qemali”. Pergjatë viteve 1982-1986 studioi në Unversitetin e Tiranës në fakultetin e Histori-Filologjisë ku u diplomua në histori.
Që nga viti 1986 e deri më 1992 punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 1993 e deri në vitin 1998 ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i “Gazetës Shqiptare”. Në periudhën 1998-1999 ishte kryeredaktor i parë i lajmeve në televizionin “Klan”. Në 1999-2000 ishte kryeredaktor i revistës së përjavshme “XXL”. Në periudhën 2001-2005 ishte kryeredaktor dhe gazetar në televizionin “Vizion Plus”. Ne periudhën 2006-20015 ishte kryeredaktor dhe gazetar në të perditshmen “Shqip”. Nga viti 2015 ishte gazetar në profesion të lirë.
Fatos Baxhaku është autor ose bashkautor i serialeve me reportazhe “Tunel” (Vizion Plus), “Rrugëtim” (Top Channel), “Shtëpia e Vjetër” (Digitalb) si dhe i shumë dokumentarëve televiziv.
Ka qenë disa here pedagog i jashtëm i gazetarisë në Universitetet e Elbasanit dhe Tiranës. Ka qenë anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Bashkëpunëtor në shumë projekte trajnimi me Soros, USAID, Instituti Shqiptar i Medias, OSBE, etj..