Infermierja e Qendrës Shëndetësore të Velipojës, Vjollca Pacaj ka mbërritur e para në vendin e aksidentit tragjik, pas të cilit do të shuheshin katër anëtarë të familjes Preka Edmondi (babai) djali 8-muajsh, vajza 5 vjeçe dhe Noemi vajza 10 vjeçe.
Ajo thotë se ka mbërritur aty 10 minuta pas aksidentit të së dielës dhe nuk mund t’a harrojë tronditjen e asaj nate. Pacaj rrëfen se si dy vajzat ndodheshin të shtrira në tokë, nënën e gjakosur apo babain e fëmijëve, që ishte bërë dyfish në makinë dhe kishte ndërruar jetë në vend bashkë me djalin 6 muajsh.
“Momentin që kam shku me ndal makinën kam parë të shoqen…duke bërtitur ku janë fëmijët. Kam hapur urgjencën i kam bërë një adrenalinë se s’disha ça me i ba në atë moment, se ishte e lame në gjak. Në momentin që u ktheva kam parë të tre fëmijët, dy vajzat kanë kenë njëra pas tjetrës përmbys në tokë. Qysh se i kam ba adrenalinën të shoqes, Mondi ka ken i vdekun, i bam dysh”,- kujton ajo.
Mirëpo kaq nuk ka mjaftuar ndaj ka nisur të kërkojë edhe ndihmën e banorëve të zonës.
“Kam bërtit me të madhe aman hajde më ndihmoni me marr fëmijët. Ka ardhë një djalë dhe më ka ndihmuar, ka marrë vajzën. Në momentin që kam kap vajzën e kam parë që nuk ishte mirë, i kam vu qaforen në qafë dhe e kena vu në ambulancë. Kena vu dy vajzat në ambulancë, kurse djali i vogël kur e kam marrë në dorë ka kenë i mbarum”,- rrëfen ajo.
Infermjerja tregon se pas saj në vendngjarje ka ardhur edhe ambulanca. “Ambulanca ka ardhur gati me mua”.
Sakrifica e mjekëve për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve në raste të tilla është e madhe, sidomos kur kushtet ku punojnë nuk janë ato të duhurat.
“Ne si Velipojë e kemi ambulancën e lodhun, s’kemi oskigjen absolutisht”,- thotë infermjerja.
Velipoja është një zonë e madhe dhe mbulohet me shërbimin e vetëm një ambulance, e cila është në gjendje të amortizuar. Në këto kushte, infermjerja Pacaj ka një lutje për institucionet përgjegjëse.
“Unë bëj thirrje në emën të gjithë stafit, në emën të gjithë Velipojës, të gjithëve, kryeministrit, ministrit të Shëndetësisë, aman një ambulancë, një ambulancë sepse Velipoja është shumë e madhe”,- thotë infermjerja. /balkanweb.com/