Ju tregoj vlerat artistike të humorit shqiptar. Kur mbylla karrierën si profesionist mu kujtuan fjalët e babait që më thoshte: Edhe një djalë që kisha m’u bë “palaço cirku”. Në fisin tonë të gjithë ishin komunistë me përjashtim të maçokut të shtëpisë.
Intervistë me mjeshtrin e humorit Arben Shaka
– Në vitin 1998 unë e mbylla si profesion profesionist dhe tani e vazhdoj si profesion qejfi për veten dhe të afërmit
-Koncerti i fundit me fëmijët për Vitin e ri ishte në vitin 1989 para Ramiz Alisë
Kur filloi Arben Shaka me humorin?
As unë se mbaj mend sa u bë. Më duket një shekull. Se se mbaj mend kur isha fëmijë.
Sa vjet ke në Greqi?
Po mbush 14 vjet. Pra janë vite të tëra në fqinjin tonë. Aty jam sistemuar dhe jam integruar. Në fakt më respektojnë pasi me punë aty respektohesh.
Vjen shpesh herë në Shqipëri?
Vij kur më kap halli. S’kam pas shumë halle ndaj vij rrallë. Mos paçin halle emigrantët.
A e ke ushtruar profesionin tënd si aktor i humorit apo në cirk në Greqi?
Në fakt para se të shkoja mendova se diçka dija për Greqinë. Akoma më shumë për artistët. Pra ishte formuar një ide sikur i njihnim mirë. Por në fakt informacioni jonë ishte shumë i cekët dhe shumë i dobët. Pra dëshira ime u zbeh kur pashë realitetin. Aty nuk mund të jetohej për humor.
A bëre ndonjë përpjekje për të justifikuar veten?
Po. Bëra humor në një familje arqitektësh në një ditëlindje. Kjo ishte hera e parë dhe e fundit që unë u mora me humor në Greqi. Pashë se dhe pse nuk dështova, gjuha, vendi. shokët nuk ishin të përshtatshëm për këtë profesion.
Me se jeni marrë gjatë këtyre 14 viteve?
Më shumë jam marrë me pikturë. Pra kam bërë piktura në të gjitha gjinitë.
Si ta kuptoj këtë si një shaka të rradhës?
Aspak. Sot s’po bëj shaka pasi kam 13 vjet që s’kam dhënë intervistë. Flas me seriozitetin më të madh.
Si lindi piktura te Arben Shaka?
Ndoshta askush nuk e beson, por unë pikturën e kam filluar qysh në vitin 1983. Pra po bëhen afërsisht tre dekada dhe pse nuk e kisha bërë publik këtë fakt apo profesion të dytë.
Vilson Halili ka qenë ai që ma ka mësuar këtë lloj profesioni. Ai ishte një piktor i mirë, por shumë kërkues. Punonte si skenarist në estradën e Tiranës dhe ishte një njeri shumë i dashur dhe korrekt. Mbetet profesori i mirë për mua. Ai më nxiti, ai më korigjoi, ai më drejtoi dhe me rreptësi në këtë rugë. Nuk ja harroj kurrë këtë peofesion. Madje më thoshte që puno më mirë bardh e zi se sa më ngjyra sepse ngjyrat ndonjëherë e tjetërsojnë realitetin.
Pra në Greqi tashmë njihesh si piktor?
Po. Këtë profesion ushtroj dhe ndihem mirë. Aty ku banoj më respektojnë për këtë profesion.
Ku e ushtron dhe si e ushtron këtë profesion në Greqi?
Më kanë thirrur shumë herë për të bërë piktura murale nëpër dyqane, kafenera, por edhe për portrete dhe për peisazhe. Kërkesa në fillim kam pasur mjaft. Pra bëj punë me porosi.
Ke pasë vështirësi në fillim?
Sigurisht. Sidomos kur nuk njihja mirë gjuhën. Ndërsa tani gjuhën mendoj se e njoh mirë dhe e shkruaj mirë. Ishte detyra ime e parë mësimi i gjuhës. Kjo:sepse veshi im s’ishte rrahur fare me këtë gjuhë. Në Tiranë nuk njihej fare gjuha greke, por rusishtja, anglishtja dhe italishtja. Problem e kisha se greqishtja ka shumë të përdorshme gërmën q. Eh sa punë më ka hapur kjo gërmë…
Po humori të ka munguar në Greqi?
Besoj se jo. Humori për mua është pjesë e trupit, pjesë e pandarë e jetës. Krijoj situata humori kudo që jam. Në vitin 1998 unë e mbylla si profesion profesionist dhe tani e vazhdoj si profesion qejfi për veten dhe të afërmit. Ishte ky vit që unë u largova dhe nga arena e cirkut megjithëse isha në formën më të mirë.
Pra tani nga profesionist në një humorist për rreth të ngushtë. Ndihesh mirë?
Them se po. Kur kam qenë aktor profesionist si në estradën e Tiranës edhe në cirkun e Tiranës s’kam pas kohë as të ha bukë. Kam qenë shumë i impenjuar. Shfaqje pa fund, prova pa fund.
Kur e ka zanafillën të qënit humorist si profesionist?
Do ta them me moshë. Kam qenë fiks 17 vjeç kur kam filluar si profesionit. Ishte prill i vitit 1968. Atëhere ishte diçka e rrallë që në këtë moshë të futeshe në punë si profesionist. Atëhere kishte rregulla dhe norma të tjera që sot duket sikur bën shaka, por ashtu ishte. Ishin kohë të tjera, norma dhe ligje të tjera. Ndoshta ne nukna pëlqejnë shumë ligje dhe norma të asaj kohe të atij sistemi, por ashtu ishte diktatura e proletariatit dhe ishe i detyruar që t’i zbatoje ato ligje.
Pra në estradë dhe në cirk, thuhet se ishit bërë shumë- shumë i dashur për fëmijët shqiptarë, një figurë publike për ta…
Mbase kam qenë dhe më vjen mirë që e përmend pasi artisti nqs nuk ka lënë gjurmë nuk ka çfarë kujton nga skena. Por kryesore ka qenë që në numrat e mia apo në shumë koncerte për fëmijë, skenarin e kam përgatitur vetë. Pra janë me shumicë skenaret e programeve për fëmijë.
Ndër ato që veçohen janë koncertet e fëmijëve për vitin e ri. Çfarë kujtimesh ruani?
Eh, ato ishin koncerte që ç’të të them. Më e pakta ishin 500 fëmijë. E mendoni se çdo të thotë të drejtosh 500 fëmijë?! Të të ikë karikatorja e kokës. Nuk numërohen dot jo më që t’i drejtosh. Apo nuk dukeshin afërisht njëlloj se të gjithë koka zero. Se atëhere deri në klasë të tetë koka qethej zero. Si dalloje dot. Koka rudë. As me regjistër si numëroje dot. Atëhere duhej kompjuter t’i numëroje dhe jo tani. Këto koncerte kanë filluar qysh në vitin 1978 deri në vitin 1990, pra afërsisht 12 vjet koncerte madhore.
Ku e ke bërë koncertin e fundit për mbrëmjen e vitit të ri me fëmijët?
Në Pallatin e Kongreseve. Se mendoja se do të ishte koncerti i fundit për Koncertin e madh të Vitit të Ri. Në atë Koncert do të vinte dhe shoku Ramiz Alia. Pallati ishte mbushur plot. Ishin caktuar dhe fëmijët që do ta takonin dhe do t’i jepnin lule Ramiz Alisë. Midis të tjerëve ishte dhe vajza ime që do t’i jepte lule. Por në momentin e fundit nuk e di pse e ndërruan dhe vajza ime nuk u përfshi tek fëmijët që do të çonte lule tek Ramiz Alia. Duhet ta dini se në pallat ishin mbledhur fëmijët me rezultate më të larta nga e gjithë Shqipëria. Ato takime masive nuk u bënë më. As sot nuk e di kush dhe pse e hoqën vajzën time nga ky takim.
Po takimet e tjera dhe koncertet e fëmijëve me rastin e Vitit të ri ku zhvilloheshin?
Kur ende s’kishte përfunduar Pallati i Kongreseve koncertet ose takimet e udhëheqësve me fëmijët e dalluar zhvilloheshin në Pallatin e Brigadave ose në Pallatin e Sportit. Ishin takime shumë masive. Njëherë mbaj mend se do e bënim takimin në Pallatin e Brigadave. Do vinin fëmijë nga e gjithë Shqipëria. Ne ishim e gjithë kombëtarja e humoristëve (qesh) të Shqipërisë me në krye Skënder Sallakun. Unë duke parë turmën e madhe të fëmijëve u shtyva tutje nga lulishtja. Isha veshur si klloun. Ashtu ma donte profesioni. U shtyva -u shtyva sa shkela mbi disa tërndafila kur këmba më ndesh tek një metal i ftohtë dhe i fortë. Kthej kokën të shoh se ku jam. Shikimi im ndesh në fytyrën e një ushtari me automatik që më thoshte shëëëëëëëëëëëëëëëëëëëëëëëëëtttttttttttt (dmth pusho), E qepa dhe pse u trondita. thashë me vete mirë gjëmbat, por mos ha ndonjë koqe plumb pa dashur. Erdha për humor dhe mos vete për qepë. Ishte roja i fshehur i Pallatit të Kongreseve pasi dihej pas pak do të vinin udhëheqësit. E njëjta gjë më ndodhi dhe në banjat e Pallatit. Aty tek hyrja e banjave dhe pse ishin banjat e burrave rinte një grua. Ajo si dukej atë punë kishte të shikonte kush hynte dhe dilte në banja. Kur u futa e pashë në sy me demek çdo ti? Ajo serioze më thotë, vazhdo punën tënde ti. Ke hesapin tënd. Hyra tërë siklet në banjo dhe pse më ruanin. Ahaaaaaaaa.
LEXONI EDHE: MINUTA E FUNDIT – Ndërron jetë aktori i njohur shqiptar, lajmin në rrjetet sociale të të atit e japin fëmijët e tij…
Po Enver Hoxhën ke pasur rastin ta takosh nga afër?
Po në çdo aktivitet të Vitit të Ri në më të shumtën e rasteve Enveri vinte. Dihet kur vinte ai vinte gjithë Byroja Politike që nga Mehmet Shehu dhe deri tek Kadri Hazbiu apo Hysni Kapo. Njëherë më ka ndodh diçka e veçantë me Enver Hoxhën. Leka Shkurti ishte ai që do të drejtonte atëhere Koncertin e vitit të ri dhe takimin me fëmijët. Unë do të isha në mes të fëmijëve. Pra në Pallat të Kongreseve do të vinte Enver Hoxha dhe gjithë Byroja Politike. Ne si fillim na dhanë si orientim që të keni kujdes Enver Hohën, pasi nqs Enveri do të futet në valle me fëmijët mos i turren me radhë dhe e rrëzojnë. Erdhi Byroja Politike: ne në këmbë dhe filluam duartrokitjet. Prisnim Enverin, Kur ai vjen nga një derë tjetër. Ne menjëherë filluam koncertin. Nga mesi i koncertit kur Enveri u ngrit në valle me fëmijët u turrën fëmijët drejt tij. Ç’të shihje. Po ndodhte ashtu si e kishin parashikuar ata që na udhëzuan. Unë s’prita më. Fëmijët u turrën drejt Enverit për të kërcyer me të, unë u sula drejt Enverit për ta mbrojtur. Isha nga mesi i sallës dhe fillova të çaj si komunist i devotshëm turmën e fëmijëve. Mezi çaja mes tyre duke i pickuar. Picko andej picko këndej gjoja me shaka. Një vajzë s’po më hapte terren. E pickova shumë fort. Ajo mbajti krahun me dorë gati në të qarë, më pa me urrejtje. Ku pyesja unë për urrejtje. Isha në krye të detyrës. Tamam komunistin e kish mësuar Partia, Për pak sekonda u ndodha para Enverit pasi rojat e tij nuk lejoheshin brenda. Ndalova turmën dhe filluam të kërcejmë së bashku.
Të lavdëruan…?
Po. Kur mbaroi festa më afrohet Lumturi Rexha dhe më thotë të lumtë Arben. E bëre si duhet detyrën Pra më tha për detyrën si roje jo si klloun (qesh). Për këtë më tha do hash bukë këtu sonte dhe më çoi në menxë. Thashë se çdo haja, kur më sjellin një pjatë supë dhe makarona. U ngrita me dinakëri për të mos rënë në sy. Më mirë haja në shtëpi.
Po tjetër histori?
Eh sa kemi. Ne gallatë bënim, por sa herë desh e kemi ngrënë nga gallata. Ne kishim dhe kafshë të egra. Kishim dhe ariun e Tahirit. Ariu me emër që ç’të të them. Tahiri rrinte me të dhe e zbuste dhe punonte numra, por me të duhej të ishe strikt. Një komandë gabim ai vepronte me instikte dhe jo me ndërgjegje. Po bënim një koncert të tillë me fëmijë në Pallatin e Sportit. Në këtë koncert erdhi gjithë Byroja Politike. Enveri jo. Byroja kishte atë si tribunë që është dhe sot. Tahiri i ariut në atë ditë nuk i bëri mirë lëvizjet ariut, pra sia dha mirë komandën. Kur të shohësh që ariu ju turr fëmijëve. Unë ia njihja disa instikte ariut, sepse punoja me të. I dola menjëherë përpara dhe i vura krahun në atë mënyrë që ai të ndalonte kur ishte puna në cirk. Ai ju bind kërkesës dhe sjelljes time. As vetë se di se si ndaloi. Shpëtuam nga një gjëmë e madhe. Shumica se vunë re pasi menduan se ishte numri i radhës.
Po të kishte sulmuar Byronë ariu çdo të bëje?
Detyrën si komunist. Do të sakrifikoja veten. Mbi ariun dhe vetëm Byroja Politike të shpëtonte.
Ishit shumë komunista në fis?
Shumë thua?! I gjithë fisi komunist ishim. Vetëm fëmijët e mi dhe maçoku i shtëpisë nuk ishin komunista. Po të të linte partia të gjithë bëheshin komunista atëhere. Lere se ç’thonë sot. Ne ishim celulë më vete ku njëri ishte më komunist se tjetri. Pikë.
Jetën e ke kaluar gallatë?
Jo unë po jeta, Se di, por ndoshta rastësira ndoshta se më tërheqin unë ndodhem ku është humori apo skenat e veçanta. Pra më ndjekin gallatat. Një shoku i them që ti ke qimen e derrit se ku je ti ndodh diçka . Ai më thotë po e kam, ndërsa ti ke derrin komplet me qime, se ty të ndodhin të gjitha. Kudo që vete më ndodh diçka dhe unë tani të gjitha këto i mbledh në korrnizën e humorit për të bërë një libër.
Ke takuar ndonjë mik që deri dje në komunizëm rrinit pak si larg?
Shumë. Kam shkruar dhe një tregim. Ti e djeshmja unë e sotmja. Pra deri dje unë me “biografi të mirë” sot me të keqe, ndërsa ai e kundërta. Dje me biografi të keqe sot me të mirë (ahaaaaa). Librin do ta titulloj Ditari i humorit.
Kush ëshët dëshira jote e tanishme?
Pas shumë vite punë këmbëngulëse si i devotshëm. Plot heroizma. Dëshira e tanishme janë eurot….ato janë idealizmi i sotëm për të gjithë paçka se mua nuk më duan ato. Të them të vëretetën në komunizëm kam punuar me aq pasion sa them me vete unë kam qenë apo një Arben tjetër se unë mbiemrin e kam Shaka dhe them deri dje kam bërë shaka me veten…
Keni ndjerë të paktën sadisfaksion shpirtëror në atë sistem?
Ajo na mbante gjallë. Ushqimi shpirtëror. Sa herë dilja në bulevard vinin prindër fëmijësh dhe më puthnin dorën, po ashtu dhe fëmijët më hidheshin në qafë. Me këtë punë unë jam bërë si psikolog për fëmijët. Fëmijëve u flas me seriozitet, u jap pozicionin e tyre jo me përkëdheli të tepërta. I kam trajtuar fëmijët si shok. Sidomos në fshtatra si na prisnin nuk gjeje dot fjalë të them.
Megjithatë kush ka qenë numri i parë që ju ka bërë me emër?
Shoferi. Pantonim. E kam luajtur me disa karrige, Lëvizja mbi karrige sikur të isha mbi kamion. U mirëprit shumë mirë. Ky skeç më hapi rrugën e humorit. E luajta me shumë dëshirë, derdha gjithë energjitë.
Po Prindërit donin?
Joooooooooo. Sidomos babai. Ai ishte hetues dhe më vonë prokuror. Ai donte të meresha me art. Por unë kisha tjetër mendje. Në fund ai u detyrua të thotë edhe një djalë që pata m’u bë “palaço cirku”. Në fillim unë shkova elektriçist në ndërmarje, aty fillova të mirem me humor.
Kush ëshët pasuria më e madhe juaja sot?
Respekti që kanë ende ata që më njohin. Më ndalojnë më respektojnë më ofrojnë një kafe. S’kam pasuri tjetër përveç kësaj. Edhe në Kosovë dhe në Dibër të Madhe kanë pas shumë respekt. Disa herë që kam shkuar në këto krahina brezi i vjetër më njihte dhe më afrohej me dashuri.
Po në Greqi ke pas ndonjë rast kur emigrantët të kanë dhënë sadisfaksion?
Shumë. Por do veçoj një rast. Po bëja dokumentat në Korinth të Greqisë. U futa në radhë për të bërë analizat. Ishin shumë. Kur më afrohet një emigrant tërë seriozitet. Po ti çdo këtu? S’dija se çfarë t’i thoja. Kam një punë për vajzën e tezes i thashë. Mirë mbaro punë dhe ik më tha. S’je për këtu ti, tërë seriozitet. Kur mbaroi punë më priti jashtë. Dëgjove ç’të thashë më tha? Mbarove dhe vrap në Tiranë, atë bëj.
Një rast tjetër ishte kur më thanë do të vijnë dy deputetë x dhe y. U thashë shokëve nuk vij në takim se nuk i njoh. Si ore si njeh janë ata dhe këta. Unë njoh vetëm dy gjelat nga udhëheqësit… /Intervistë e 14 dhjetor 2021 për gazetën “Telegraf”/