Portieri Bojan Zogoviç ka qenë një nga pikat më të forta të Vllaznisë, jo vetëm në sezonin e shkuar, por edhe në aventurën europiane. “Gardiani” malazez, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” vlerëson ecurinë e kuqebluve në edicionin e shkuar, që sipas tij, askush nuk e kishte menduar se do të ishte tillë, si dhe i vjen keq që Vllaznia nuk arriti të shpallet kampione.
32- vjeçari tregon arsyet pse rinovoi në Shkodër, si e shikon Vllazninë e sezonit të ri dhe pritshmëritë. Aventurën europiane të ekipit e quan spektakolare, si dhe është i kënaqur edhe nga paraqitja e tij në dy turet e Konferencë Ligës.
Kategorinë Superiore e shikon si një kampionat në rritje dhe në sezonin e ri e shikon më të fortë, ndaj nuk mund të flasë se cilët mund të jenë rivalët e kuqebluve. Sipas portierit, nëse Vllaznia e ruan stilin e lojës së sezonit të shkuar, plus përforcimet e mundshme, i ka shanset që të shpallet kampione.
Sa shanse ka Vllaznia për të fituar titullin në sezonin 2021-2022?
Do të shohim. Unë nuk mund të premtoj asgjë, përveç lojës maksimale dhe “luftës” në fushë. Por, nëse e mbajmë stilin tonë të lojës me disa përforcime të mira, Vllaznia mund të jemi konkurruese për kreun e renditjes. Secili ekip pritet që të forcohet gjatë merkatos, kështu që besoj se kampionati do të jetë i barabartë.
Cilat mendoni se mund të jenë rivalet më të forta të Vllaznisë për titullin?.
Sinqerisht nuk kam një përgjigje. Është e vështirë të parashikohet. Mendoj se ekipi që ka listën më të madhe të lojtarëve dhe një stol të fortë do të jetë më favorizuar, pasi kampionati është i gjatë.