Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, ka vlerësuar situatën në të cilën ndodhet ekipi pas kualifikimit për në turin e dytë të Ligës së Konferencës. Në një intervistë ekskluzive, mbrojtësi i djathtë flet për kundërshtarin e radhës dhe pritshmëritë që ka për kualifikimin ndaj AEL Limasolit.
Ai është i bindur se Vllaznia do të marrë një rezultat të favorshëm në këtë ndeshje të parë, për të tentuar kalimin e turit.
Si duket situata në skuadër pas atij kualifikimi me përmbysje ndaj Shiroki Brijegut?
Atmosfera në skuadër gjithmonë ka qenë e mirë, por pas atij kualifikimi është rritur edhe më shumë harmonia dhe besimi.
Sa e njihni kundërshtarin e radhës, AEL Limasolin?
E dimë që është një kundërshtar shumë i fortë,me buxhet shumë të lartë, me lojtar cilësorë që kanë luajtur në disa nga kampionatet më të mira të Europës. Por, kjo na motivon më shumë që të japim më të mirën tonë kundër tyre.
Sa shanse mendoni se keni për kualifikimin?
Mendoj se për këtë duhet të flasim pas ndeshjes së parë. Ata janë favoritë në letër, por ne po presim me padurim përballjen kundër tyre në Qipro.
Një barazim në takimin e parë mund të quhet sukses…?
Sigurisht që, çdo rezultat përveç humbjes në ndeshjen e parë është pozitiv, por kjo nuk do të thotë që në shkojmë atje dhe të mendojmë për barazimin që në minutat e para. Do zhvillojmë lojën tonë dhe pastaj do të shikojmë situatat që sjell ndeshja.
Më mirë ndeshja e parë në transfertë apo do ta dëshironit në Shkodër ndaj AEL-it?
Tani, me rregullin e ri mendoj se ka pak rëndësi ka nëse është ndeshja e parë brenda apo jashtë. Gjithsesi, për ne ndoshta është fatsjellëse ndeshja e parë jashtë, duke pasur parasysh që edhe turin e parë ishte po kështu.
Përballë do të keni edhe një tifozëri të zjarrtë, jeni përgatitur për këtë fakt?
E dimë që kanë një tifozëri të zjarrtë dhe jemi përgatitur për këtë fakt, ashtu siç duhet të përgatiten dhe ata për ndeshjen e kthimit në Shkodër…