Firma për Vllazninë duket se ka qenë një nga vendimet e duhura të karrierës së Thomas Brdariç. Trajneri i shkodranëve e ka pranuar këtë në një intervistë për prestigjiozen “Kicker” ku ka theksuar se në vendin tonë kishte gjetur ekuilibrin.
Ai ka shpjeguar si e sheh zhvillimin e Vllaznisë, nga momenti që erdhi në Shkodër e deri tani, duke vendosur theksin te fakti se tashmë ekipin e rrethonte përsëri entuziazmi që kishte munguar për shumë vite. Në vijim, “Panorama Sport” sjell intervistën e plotë të teknikut gjerman për prestigjiozen gjermane.
Në grupin e kreut në Kategorinë Superiore, aktualisht në vendin e katërt, thuajse në gjysmëfinalet e Kupës pas fitores së parë në transfertë në Vlorë. A jeni në drejtimin e duhur me Vllazninë z. Brdariç?
Pjesërisht, pjesërisht. Në njërën anë, ne mund të jemi krenarë për atë që kemi arritur në gjysmën e parë të kampionatit. Por sigurisht që duam më shumë dhe nuk jemi ende aty ku dëshirojmë. Dhe duhet të mbrojmë trofeun e Kupës pas fitores së vitit të kaluar.
Ku sheh vend për përmirësim në skuadrën tuaj?
Paraqitja zakonisht është e duhura, por ne nuk shënojmë mjaftueshëm gola. Kjo e bën gjithmonë problematike, sidomos jashtë fushe, shpesh në terrene me gunga dhe me vendime të vështira të gjyqtarëve. Duhet të përfitosh me qetësi nga rastet që të shfaqen, por pikërisht kjo është ajo ku ne shfaqim probleme.
Sa u përket stërvitjeve, si trajner ju një herë jeni ankuar për kushtet e papërshtatshme stërvitore, që e bënin thuajse të pamundur stërvitjen taktike. A është përmirësuar situata ndërkohë?
Në fakt, Federata Shqiptare ka filluar një projekt me klubet profesionale. Ne kishim kushte me të cilat asnjë klub profesionist europian nuk mund të bënte realisht progres. Ajo që po ndodh tani është pak më shumë normalitet. Ne po stërvitemi në një fushë të re me bar artificial, ndaj jam shumë i lumtur. Mund të mos jetë në standardet më të mira gjermane, por është një hap i pabesueshëm para në krahasim me fushën ku punonim më parë.
Ju mund t’i gëzoheni edhe një çmimi special, atë të votimit për “Trajnerin e Vitit” në Shqipëri. Çfarë e bën kaq special këtë nderim?
Pikë së pari, kjo u vendos nga ekspertë të medias dhe federatës. Dhe këta profesionistë nuk panë vetëm fitoren e trofeve, por gjithashtu historinë që po shkruajmë këtu. Vllaznia është një klub tradite që ka qenë prej shumë kohësh në gjumë letargjik. Tani diçka po ndodh përsëri këtu.
Si mund ta shpjegoni këtë?
Kur erdha këtu, gjëja e parë që unë pyeta veten ishte: a luhet futboll këtu? A ka ndokush interes për ne? Nuk kishte asgjë dalluese, as në rrugë, as në restorante. Me sukseset, ne kemi ngjallur përsëri entuziazmin. Njerëzit po kthehen përsëri nga futbolli, ata janë të lumtur dhe e ndjejnë se ne mund të bezdisim përsëri klubet e mëdha në vend. Është ndoshta pak a shumë si kur Mynih 1860 në mënyrë të papritur fitoi Kupën, u ngjit në kategori dhe u përball përsëri me Bajenrin.
A jeni i lumtur në këtë detyrë?
Jam i lumtur që ne si skuadër, si klub dhe po, si trajner, perceptohemi pozitivisht dhe puna jonë njihet. Rrethanat këtu janë ende të vështira, edhe ekonomikisht, por ne jemi një grup i bashkuar që mund të luftojmë ndaj këtyre kushteve.
Sa e madhe është trysnia për të arritur suksese?
Është gjithmonë aty, pasi në fund të fundit, gjithçka ka të bëjë me trofetë. Për ta bërë një gjë të tillë, duhet të vazhdojmë të përmirësojmë infrastrukturën në klub, marrim vendime të mira së bashku dhe ndoshta të bëjmë edhe transferime më të rëndësishme. Por ne nuk jemi një klub që rri në vendnumëro, jemi gjithmonë proaktivë në arritjen e objektivave tanë.
Si një “punëtor në vend në zhvillim” në Shkodër, kontrata juaj përfundon në verë. A po mendon që tani për të ardhmen?
Kam gjetur një ekuilibër të mirë për mua këtu në Shqipëri, ashtu si skuadra. Tani nuk është koha që të mendojmë më thellësisht rreth asaj që mund të vijë. Këtu është punë e madhe, por e vlerësoj që kam një punë të tillë. Të jesh në gjendje të bëhesh një trajner profesionist, është një privilegj që mbulon shumë vështirësi në jetën e përditshme.