Nga Basir ÇOLLAKU
Antonio Nazeraj ka qenë për 8 vite oficer i Antidrogës së Fierit. Në një rrëfim të gjatë për “Gazetën Shqiptare” ai flet për përplasjen që pati me Habilajt e famshëm të Vlorës dhe se si jeta dhe karriera e tij mori tatëpjetë që atëherë. Nazeraj rrëfen për “GSH” sekretet e skemës së kultivimit të drogës, farërat që sipas tij vinin nga qendra e policisë në Tiranë nëpër komisariate dhe më pas u shpërndahej organizatave dhe kultivuesve, përqindjet që merrnin shefat e policisë, etj.
Ai flet për incidentin në fillim të vitit 2014, kur ai dhe efektivë të tjerë ndaluan Audin A8 “AA 003 B” në aksin rrugor Levan-Tepelenë. Sipas Nazerajt, ata kundërshtuan kontrollin e makinës dhe pas atij rasti ai u transferua në Lushnje.
Z.Nazeraj, ju jeni një nga agjentët e antidrogës së Drejtorisë Fier prej shumë vitesh, por u arrestuat, dënuat, liruat, e më pas largu nga vendi, çfarë ka ndodhur?
Unë kam punuar në Drejtorinë e Policisë Fier, për rreth tetë vjet, dhe pikërisht te zyra e antidrogës. Për tetë vjet kam qenë oficer i kësaj zyre, nga viti 2006 deri në korrik të vitit 2014, deri me 17 korrik kur dhe jam arrestuar.
Ç’ndodhi me ju, si nisi ngjarja që përfundoi më arrest?
Ne kemi pasur në muajt e parë të vitit 2014, një plan masash për kontrolle dhe postblloqe, kryesisht në autostradën Levan-Tepelenë, duke kryer çdo ditë shërbime, por ne oficerëve na binte që një herë në dy-tre ditë të ishim në postblloqe.
Ishte një plan i miratuar nga eprorët tuaj?
Po, patjetër, ishte plan i miratuar. Po ishte hartuar nga drejtoria dhe në këto postblloqe dilte vetëm sektori kundër krimit të organizuar.
Ç’ndodhi gjatë këtyre shërbimeve, zoti Nazeraj?
Gjatë këtyre shërbimeve ka qëlluar një natë, kur ne ishim në shërbim bashkë me agjentët e sektorit kundër krimit të organizuar, sepse bënim, në fakt, dy tre postblloqe me oficerë të ndryshëm. Unë kam qenë në rrugë me dy agjentë dhe një polic të komisariatit dhe kemi ndaluar një automjet, një “Audi” “A 8 AA003 GB”.