Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish- deputet i Shkodrës, është paraqitur këtë mëngjes në SPAK. Mësohet se Beqaj do të merret në pyetje për koncesionin e sterilizimit. Kjo është hera e parë që ish-ministri Beqaj, i cili aktualisht është deputet i PS, merret në pyetje nga SPAK.
Beqaj është në listën e personave për t’u pyetur. Kujtojmë se 10 ditë më parë u mor në pyetje edhe ish-zëvendës ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Për tenderin e sterilizimit ka patur vazhdimisht akuza nga opozita por dhe nga shoqëria civile.
Në vitin 2015 qeveria vendosi që shërbimi i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale të mos ofrohej nga vetë spitalet, por të kalohej me koncension. Kështu me datë 10 dhjetor 2015, Ministria e Shëndetësisë, ka lidhur një kontratë koncesionare 10-vjecare me kompaninë “Sani Service”.
Kontrata ishte planifikuar të zgjaste për një periudhë 10-vjeçare, me një vlerë fillestare të parashikuar prej 9.6 miliardë lekësh.
Por, në vitin 2018, shpenzimet për shërbimet e sterilizimit të personalizuar të pajisjeve kirurgjikale të kryera nga partneriteti publik-privat ishin 2 miliardë lekë, ose 28.3 për qind më shumë se plani prej 1 miliard e 560 milionë lekësh, që ishte programuar në buxhetin e vitit 2018.
Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë ngriti një grup pune në datë 25 shkurt 2019 me mjekë specialistë për rishikimin e seteve kirurgjikale.
E gjitha kjo me qëllim uljen e numrit e mjeteve kirurgjikale në çdo set dhe në këtë mënyrë ulej edhe të kostot financiare.
Nga ana tjetër në dhjetor të vitit 2019, nisma “Thurje” bëri një kallëzim penal për zyrtarët publik të përfshirë në koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, të cilët mund të kenë abuzuar me to.