Ish-diplomati Llesh Kola ka fituar gjyqin me Autoritetin e Dosjeve duke përfituar edhe dëmshpërblim për ngatërresën që AIDSSH i bëri duke e cilësuar bashkëpunëtor të ish-sigurimit të shtetit. Ish-drejtori i Arkivit në Ministrinë e Brendshme, historiani Kastriot Dervishi thotë se Kola së bashku me familjen fituan 25 milionë lekë dëmshpërblim ndërsa akuzon Autoritetin e Dosjeve se me ngatërrimin e identitetit që bënë i shkaktuan shtetit një dëm të madh financiar.
“Një dëm tjetër financiar i Autoritetit ndaj buxhetit të shtetit. Dëmeve buxhetore që rrjedhin nga kotësia e ekzistencës së një institucioni në shkelje me ligjin e arkivave, si Autoriteti për Informim në Dokumentet e Sigurimit të Shtetit, iu shtua edhe një, i rrjedhur nga një vendimmarrje e gabuar dhe e panevojshme.
Me vendimin nr.3456, datë 16.10.2019, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka pranuar paditë e një diplomati, gruas dhe djalit të tij për dëmshpërblimin në shumën e 25 milionëve lekëve (ose rreth 200 mijë euro) nga AIDSSH për shkaktimin e “dëmit shëndetësor, biologjik, moral dhe ekzistencial”.
Si pasojë e veprimeve të gabuara, e dhënies së përgjigjeve me akte administrative, si vendimi nr.74, datë 20.4.2019, duke ngatërruar edhe identitetin e personit, AIDSSH i shkaktoi shtetit një dëm të madh financiar. Bazuar në Kodin Ndërkombëtar Deontologjik të Arkivistëve, prej nga ku rrjedhin shumë dispozita tona ligjore, për vërtetimin e dokumenteve nuk ka nevojë për akte administrative, por vetëm për njësimin me origjinalin.
Sa para ka harxhuar deri tani buxheti i shtetit për Autoritetin, domethënë para të çuar dëm, ishin ndërtuar dy arkiva qendrorë modernë të Ministrisë së Brendshme. E ndërsa nuk bëhet ky investim, me sa shihet veprimet antikombëtare e antishtetërore ndaj këtij arkivi nuk kanë të ndalur. Një shtet që nuk ndërton arkiva, që shqep fonde arkivore, që hallin e ka të bëjë filma për ta futur edhe aty veliajn e propagandës, merreni me mend se çfarë shteti është” thotë Dervishi.