Mesditën e sotme, në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, është bërë prezantimi i Drejtorit të ri të DVP Lezhë.
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, nga sot, Drejtues i Parë Vehbi Bushati, i cili mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Policinë e Shetit, do të jetë Drejtori i ri i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.
Gjatë prezantimit të tij para efektivëve, Zv.Drejtori i Përgjithshëm Albert Dervishaj ka vlerësuar kontributin e deritanishëm dhe profesionalizmin që zoti Bushati ka treguar në çdo detyrë që ka kryer.
Më tej, Dervishaj ka theksuar se është besimplotë se Vehbi Bushati do të përmbushë me sukses detyrën si drejtues i Policisë së Lezhës, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, goditjen e trafiqeve të paligjshme, parandalimin e krimeve kundër personit dhe pronës, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri, si dhe të çdo paligjshmërie tjetër.
Drejtor Vehbi Bushati siguroi vartësit se njohja dhe vlerësimi për ta do të bëhet nëpërmjet rezultateve në punë dhe performancës së tyre në komunitet.
Bushati ka theksuar se mbështetja e tij nuk do t’i mungojë punonjësve që janë të përkushtuar dhe të ndershëm. Ai kërkoi nga secili prej të pranishmëve, që siç do të jetë e hapur dera e zyrës së tij për të dëgjuar qytetarët dhe t’u shërbyer atyre, ashtu edhe ata, së bashku me vartësit e tyre duhet të jenë të angazhuar maksimalisht për t’i shërbyer aleatit kryesor, qytetarit, me qëllim përmbushjen sa më mirë të misionit të përbashkët.