I arrestuar prej disa kohësh në Itali për llogari të autoriteteve shqiptare, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, i është drejtuar me një kërkesë të re Gjykatës së Lartë. Ai ka kërkuar pezullimin e dënimit të tij me 2 vite burg, me arsyetimin se vuan nga një sëmundje e pashërueshme dhe se izolimi do i sillte pasoja të rënda për shëndetin. Kërkesa e Llallës pritet të merret në shqyrtim në 22 prill, ndërsa mësohet se pjesë e trupës gjykuese janë gjyqtarët, Ilir Panda, Sandër Simoni dhe Sokol Binaj.
Ish prokurori i përgjithshëm Llalla, u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në 3 episode. Ai akuzohet se nuk ka deklaruar një shumë prej rreth 7 mijë dollarësh për lindjen e djalit, shpenzimet që lidhen me ndërtimin e katit të tretë të një banese si dhe të ardhurat për shkollimin e vajzës në Gjermani.
Në përfundim të gjykimit në shkallët e tjera është vendosur konfiskimi i pasurisë së tij, një apartament në Durrës dhe rreth 22 mijë m2 tokë arë ne periferi të Tiranës. Ndërkohë Apeli i GJKKO-së, ka përjashtuar ish kryeprokurorin të kryejë funksione publike për 5 vite.
Në prag të marrjes së vendimit të formës së prerë, Llalla mundi të arratisej jashtë vendit, ndërkohë pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar u arrestua në Itali ne dhjetor te vitit te kaluar.
Që nga ajo kohë Adriatik Llalla ndodhet nën mbikëqyrjen e autoriteteve italiane në pritje të vendimit që do të marrë gjykata italiane pas kërkesës së Shqipërisë që kërkon ekstradimin e tij. Llalla është përfaqëson nivelin më të lartë të një funksioniari shteti të hetuar dhe dënuar me vendim të formës së prerë.