E ftuar në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në News24, ish-ministrja e Bujqësisë në vitet ’75-’88, Themie Thomai rrëfeu arsyet se pse nuk kishte përmbytje në atë kohë. Duke iu referuar përmbytjeve të fundit në Shqipëri si pasojë e reshjeve të fundit, ish ministrja në qeverinë e Enver Hoxhës tha se në atë kohë merreshin masat më përpara.
“Kjo është një shkencë e tërë, por funksiononte një rrjet i tërë kullues i kontrolluar. Tokat që shtrihen afër bregdetit në Vlorë, Fier, janë toka nën nivel. Kolektori i madh pastrohej çdo vit. Të gjitha stacionet e pompimit në fund të gushtit kontrolloheshin dhe me komision të posaçëm merreshin me hidrovoret. Kontrolloheshin të gjitha digat. Nuk lejohej të shkelnin as këmbët e bagëtive në diga. Merreshin masat që më përpara. Kanali i ujërave të mëdha dhe pritat përbënin atë që quhej rrjeti kullues”- tha Themie Thomai.
Ish ministrja e bujqësisë për 13 vite, në kohën e diktaturës ka treguar edhe si u bë ministre e bujqësisë në vitin 1976.
“Njeriu që ma komunikoi ishte Hysni Kapo, dhe më tha që byroja ka vendosur do bëhesh ministre! U shtanga, u tremba, dhe i thash se bëjë dot! E kemi menduar do e bësh – më tha. Shkova në shtëpi, më pyeti nëna, më tha, pse të thirrën, dhe i thashë më bënë Ministre Bujqësi. Aman tha-si do bëhesh ministre, se mos e mëson si Pirro Dodbiba, prandaj mos puno me kokën tëndë, pyet të tjerët. Babi më kishte lënë të vogël dhe nëna kishte shumë kujdes për mua”- tha ajo.