Po shkoja drejt “Tajvanit” për të pirë një kafe. Ishte një ditë e bukur dimri me diell, po shikoja të gjej një tavolinë përballë shatërvanit. Ndigjoj një zë që më therret:
– O Mirak, eja…
Kthej kokën, shikoj një të moshuar në tavolinë, ishte vetëm. Ju afrova:
– Ulu, më thotë me një zë urdhërues.- Nuk po më njeh?
– Jo më fal, nuk po të njoh.
– Jam I.S.
Idriz Seiti quhej, kur më tha emrin të cilin e kisha hasur në dokumentat e Arkivit të M.P. Brendëshme si një oficer madhor i ish- Sigurimit desha të ngrihem por e mbajta veten. Kamarjeri erdhi dhe porosita një kafe.
– Të lutem sa bëjnë këto dhe i nxorra lekët.
– Të thirra unë, tha I.S.
– Faleminderit, por kafen do e paguaj unë.
– Mirë faleminderit…
Ishte i veshur mos më keq, me t’u dhimtë.
– Edhe unë kam bërë burg z. Mirakaj, mbas vrasjes së M. Shehut u arrestova si një mik i tij, më denuan 10 vjet, i bëra në Burrel.
– Ju mor zotëri nuk ishit kundra diktatorit se i sherbyet me një zell të madh por ishte ai kundra jush, i them unë dhe vijova:
– Po a mund të të bëj një pyetje, si ka mundësi që nuk u bëtë burra një herë? Por ju vuri E.H. kundra njeri tjetrit (duke vrarë), e filluat me Zai Fundon, Mustafa Gjinishin e të tjerë. Ne e dinim se çfarë do ndodhte me E.H. e të tjerë.
– E more zoti Mirakaj ne nuk kemi qenë burra por një tufë kriminelësh, dhe i dridhej buza.
– Unë emrin tuaj e kam hasur në dokumenta, se kam punuar disa vite në arkivin e M.P. Brendëshme, ke qenë me pozitë të lartë në ish- Sigurim, ke qenë kryetar dege etj.
– Po është e vertetë, keni gjynahe në kurriz. Krimet që keni bërë ju mbi njerëzit e pafajshëm nuk ka det që i lanë.
– Po ke të drejtë, unë kam ndjekur dhe babain tënd në mal, po ta kishim zënë do e kishim vrarë.
– A keni trashëgimtarë (fëmijë), i them unë.
– Ehh, kisha dy djem, njërin ma mbytën, tjetrin ma çmendën, po pe një burrë me çantë të zezë në krah me libra, ai është im bir. Ti, m’u drejtua mbahesh mire, ju keni vuajtur shumë.
– Më vjen keq, po ju përgjigjem pse unë mbahem mirë. Unë mbahem mirë se i kam besuar Zotit, ju jeni në këtë gjendje sepse i besuat djallit.
– Do kisha deshirë të rrija me ju se jeni burre i mirë, se unë ju njof mirë si familje por po çohem se nuk ndihem mirë. Po u bëra mirë, do shihemi prap se dua të flas me ty se di shumë gjëra, më tha.
U ngrit, mezi tërhiqte këmbët. E përcolla me sy me keqardhje, pantallonat i kishte lidhur me spango. Takimi tjetër nuk u bë i mundur mbasi për pak kohë, ai ndërroi jetë. /Nga Simon MIRAKAJ, publikuar në Facebook/