Aktivistët sirianë thonë se grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS), ka vrarë 116 vetë, derisa ky grup e kishte kontrollin në qytetin qendror, al-Karjatajan, në pjesën qendrore të Sirisë.
“Shteti Islamik gjatë një periudhe prej 20 ditësh ka ekzekutuar së paku 116 civilë në vrasje hakmarrëse, meqë i kishte akuzuar ata për bashkëpunim me forcat e regjimit”, tha sot Rami Abdel Rahman, shef i Observatorit sirian për të drejtat e njeriut, me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren në Siri.
Forcat e qeverisë së Sirisë e kanë rimarrë kontrollin në qytetin al-Karjatajan në provincën Homs, para tri ditësh.
“Pasi regjimi e rimori kontrollin, banorët e qytetit i kanë gjetur trupat e pajetë nëpër rrugë”, tha Abdel Rahman dhe ka shtuar se “ata ishin vrarë ose ekzekutuar me thika”.
Gjatë dy viteve të fundit, grupi ekstremist, Shteti Islamik, në vazhdimësi i ka humbur territoret në Siri dhe Irak. Gjatë javës së kaluar, forcat e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara i kanë përzënë militantët e këtij grupi nga qyteti Raka, që ishte baza kryesore e tyre në Siri. /panorama/