Ish-turproja i Sali Berishës, Izet Haxhia, i cili është në pritje të ekstradimit po vijon me akuzat, ndërsa shpesh herë bën deklarata të forta.
Gjatë një komunikimi për emisionin ‘Magazina’ të Radio Dukagjinit, Haxhia pohoi se autorët që vranë ish-deputetin e PD-së Azem Hajdarin kanë tentuar që të ekzekutojnë edhe liderin historik, ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova. Ngjarja në fjalë sipas tij ka ndodhur në vitin 1999, në aeroportin e Rinasit.
“Është një lidhje që e bënë mes vrasjes së Azem Hajdarit e kolonel Ahmet Krasniqi. Është e njëjta dorë jo vetëm e këtyre, por edhe në vrasjen e gjeneral Ilir Konushevcit në të gjithë këto vrasje.
Dua të them edhe diçka që ka qenë i përgatitur edhe një atentat ndaj presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova nga viti 1999, po nga ky grup dhe për arsye si duket i njoftuar nga shërbimet huaja, Rugova nuk zbriti fare nga avioni në Rinas, për të ardhur në Tiranë.
Por, ato bomba të telekomanduara që do të përdoreshin për të eliminuar Rugovën, i janë dhënë grupit të komandës që ka eliminuar Haklajn”, pohoi Haxhia, duke mohuar kështu kategorikisht të ketë lidhje me vrasjen e Hajdarit, vepër për të cilën është dënuar me 25 vite burg në mungesë.