Nga Blerti DELIJA
Mbrëmjen e të martës mbërriti në Rinas Izet Haxhia. Është një personazh shumë i njohur publik, i cili është tanimë i dënuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit me 12 shtator 1998 para selisë së PD-së në Tiranë, vetëdorëzohet në duart e drejtësisë shqiptare për të vuajtur dënimin.
Sot ai është 52- vjeç, dy dekada pasi arriti ti shmanget kapjes për të përfunduar në burg. Ndoshta pas 5 viteve, atij mund ti parashkruhej edhe dënimi. Të gjithë e dinin se Izet Haxhia ishte në Turqi, madje nuk kishte as ndonjë status të veçantë nga shteti turk. Kjo vertetohet edhe nga fakti i ekstradimit “të lehtë” drejt Shqipërisë. Madje, ka edhe një detaj shumë të çuditshëm: Izet Haxhia u dorëzua vetë në policinë turke duke i kërkuar ta ekstradojnë…
Mbase këtu duhet nisur historia! Haxhia mund ta ketë pasur të vështirë mbijetesën në Turqi këto kohët e fundit. Në kuptimin ekonomik më shumë se të sigurisë. Kjo mbase mund të jetë një motiv i fortë që e bëri të kthehej me dëshirë në atdhe si i ekstraduar, edhe pse e di se presin 25 vite burg brenda një qelie të vogël, larg njerëzve të tij të dashur apo edhe larg gruas misterioze që i kushton vargje e deklarata dashurie publikisht.
Ka edhe një alternative tjetër, jo e vështirë për tu hamendësuar, sidomos kur ke ndjekur shkrimet e herëpashershme të Izet Haxhisë në media por edhe në rrjete sociale. Izet Haxhia mund të ketë bërë një marrëveshje të tipit deklarim “i penduar” i drejtësisë. Kanë bërë edhe kriminelë shumë më të egër se Haxhia, në shkëmbim të zbutjes së dënimit apo faljes së plotë. Ka disa vite në fakt që Haxhia është mjaft aktiv, duke shenjestruar sidomos Sali Berishën dhe familjen e tij. Megjithatë, vetëdorëzimi i tij tek drejtësia vjen tani, kur në krye të organit të akuzës është Arta Marku dhe jo Adriatik Llalla. Nëse ka një marrëveshje me Prokurorinë, ajo duhet të behet publike në momentin e duhur dhe në atë moment, nuk ka as më të voglin dyshim që marrëveshja por edhe vetë deklarimet e mundshme të Haxhisë, do të paragjykoheshin. Kjo, pasi Izet Haxhia e ka goditur rregullisht, për një kohë të gjatë, publikisht dhe mediatikisht Sali Berishën, jo rradhë edhe në nivelin politik duke i dhënë bonuse rivalëve politikë të ish- presidentit. Shtoji kësaj edhe kontestimin që në momentin e parë opozita të paktën, i ka bërë prokurores së zgjedhur vetëm me votat e PS.
A do të trondisë, siç po thuhet, politikën shqiptare Izet Haxhia? Mbase, por e sigurtë është se nuk do të dëmtojë asnjërën palë: as mazhorancën e as opozitën! Izet Haxhia nuk ka prova, ka vetëm fjalën e tij kundër asaj të Berishës apo njerëzve të tjerë që ai akuzon. Përmes deklaratave publike, Haxhia e ka nxirë imazhin e tij. Duke u përpjekur të nxjerrë Berishën si urdhërdhënës të të gjitha zulluve të materializuara nga ai si badigard i ish- presidentit, Haxhia ka krijuar imazhin e një njeriu që ka dhunuar, rrahur, plagosur e mbase vrarë njerëz. Sa peshë mund të ketë fjala e tij para një gjykate serioze?!
Izet Haxhia po nxirret në skenë për të dobësuar më shumë opozitën duke goditur Sali Berishën, mbase i sponsorizuar edhe nga vete brenda PD-së e opozitës. Por kjo mbetet për tu parë, por do të zbulohet. Kam përshtypjen se do të bëjë efektin boomerang, duke njohur mentalitetin shqiptar. Nëse Berisha do të sulmohet, akuzohet, vihet nën hetim, fuqia e tij do të amplifikohet dhe do të kthehet në një simbol të fortë të unifikimit të opozitës.
Me Izet Haxhinë dikush brenda mazhorancës, mbase Edi Rama, po tenton të godasë fillimisht Berishën për të mbërritur më pas edhe tek “koka” tjetër Ilir Meta. Pak a shumë, siç u tentua në gusht 2015. Përveç PS-së, ndoshta edhe dikush në PD ka nisur festën. Është pak shpejt, ndoshta edhe mund të pendohen… ©ShkodraWeb