Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” për të folur rreth situatës së fundit të pandemisë në vend, në një kohë ku kemi rritje të madhe rastesh infektimi dhe humbje jete.
Brataj deklaroi që për momentin, izolimi është një opsion që nuk diskutohet mes ekspertëve, duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë ri- mbyllje në kushtet ku jemi.
“Normal që qytetarët duhet të dinë, ka izolim, s’ka izolim se kjo është pyetja që na bëjnë më shumë. Nuk mendohet që të bëjmë izolim. Në këto momente as që bëhet fjalë”, tha Brataj.
Mirëpo, skenari i izolimit do të bëhej realitet, sipas drejtorit të Urgjencës, vetëm në rastet kur do të tejmbusheshin spitalet. Megjithatë Brataj u shpreh se asnjë ekspert nuk mendon se situata do të arrijë deri aty.
“Skenari i izolimit është në qoftë se numri i pacientëve arrin aq shumë në spital sa i saturon të gjitha burimet që kemi në dispozicion që nuk mendojmë se do të arrijë deri aty”, tha Brataj, i cili shtoi se gjëja pozitive e ditëve të fundit është fakti që kohëzgjatja e të sëmurit është më e shkurtër seç ishte në fillim.
Sipas Bratajt, fasha më në rrezik është mosha e thyer, prandaj ata duhet të qëndrojnë në shtëpi. Ai deklaroi se maska në ambientet e mbyllura është e detyrueshme.