Hapet gara për mësuesit që duan të vihen në listë pritjeje për t’u punësuar në vitin e ardhshëm shkollor. Ministria e Arsimit ka hartuar udhëzuesin mbi afatet dhe procedurat e konkurrimit. Aplikimet në portalin “Mësues për Shqipërinë” janë të hapura deri në datën 21 shkurt dhe fill pas saj duhet të bëhet dorëzimi i dosjes personale në drejtorinë përkatëse rajonale të arsimit parauniversitar. Afati për këtë vendoset nga vetë ato, por udhëzimi parashikon përmbylljen e këtij procesi jo më vonë se tri ditë pas mbylljes së aplikimeve online. “Kandidatët që dëshirojnë të ushtrojnë profesionin e mësuesit dhe të marrin pjesë në portalin ‘Mësues për Shqipërinë’ 2020, duhet të aplikojnë online deri në datën 21.02.2020 në portalin mësuespërshqipërinë.al. Kandidatët dërgojnë dosjet për konkurrim në DRAP-in ku kanë vendbanimin brenda datës 24.02.2020.
Dosjet dërgohen nëpërmjet shërbimit postar”, citohet në udhëzim. Dorëzimi i dosjes me të dhënat personale e profesionale është vetëm faza e parë e garës, e cila vijon me testimin e informatizuar, që ka edhe peshën më të madhe në renditjen finale. Vitin e kaluar dosjet u vlerësuan me 20%, ndërsa testimi 80%.
Në të gjashtin vit të rekrutimit të mësuesve përmes portalit qeveritar, jo të gjithë mësuesit e papunë duhet t’u nënshtrohen çdo herë testimeve e dosjeve personale. MAS ka parashikuar në udhëzim rastet e mësuesve që nuk dëshirojnë të ritestohen apo të dorëzojnë sërish të njëjtat dokumente (sipas tabelës krah shkrimit).
Mjafton një kërkesë e bërë brenda afateve të përcaktuara për të gjithë, për të ruajtur pikët e dosjes apo testimit të informatizuar. “Kandidatët, të cilët janë renditur në listën përfundimtare të portalit 2018 dhe dëshirojnë të ruajnë pikët e dosjes, pikët e testimit, ose edhe të dosjes edhe të testimt, dërgojnë në DRAP-in ku kanë vendbanimin, kërkesën për mbartjen e pikëve sipas shtojcës 4, brenda datës 24.02.2020, nëpërmjet shërbimit postar.
Për kandidatët që dëshirojnë të ruajnë pikët e dosjes, por kanë dokumente shtesë, së bashku me shtojcën 4 dërgojnë në DRAP edhe dokumentet që dëshirojnë të shtojnë”. Në rastet kur pasurohet lista e dokumenteve, drejtoria rajonale përkatëse e rivlerëson atë. Ndërsa kur dikush nuk dëshiron të ritestohet më, drejtoria tërheq nga Qendra e Shërbimeve Arsimore pikët e tij. /Nga Besarta BASHA/