Suad Lici nuk duroi dot pas penalltisë që u akordua dhe la tribunën për të zbritur në pankinë. E megjithatë, vetë administratori në një reagim për “Panorama Sport” ka dhënë variantin e tij të ngjarjeve. Ai saktëson gjithçka ngjau, pasi Orlando Kuka e kishte zhbërë vendimin dhe thjesht donte që t’i qetësonte lojtarët. Ai shkon më tej, duke e cilësuar zhurmën e krijuar si një formë për t’ia bërë rrugën gati Tiranës.
“Dua të sqaroj opinionin se në momentin që jam futur në pankinë, kisha vetëm një qellim: Të qetësoja ekipin. Penalltia ka qenë e anuluar në ato momente. Nuk kam pasur asnjë mendim që të nxjerr ekipin jashtë pasi është krejt e pakuptimtë kjo që mund të thuhet nga mediat e ndryshme që kërkojnë që t’i bëjnë rrugën gati Tiranës.
Unë, si zyrtar i klubit, kam kërkuar vetëm që të qetësoja skuadrën në ato momente. Keqpërdorimi i emrit më duket shumë i pakuptimtë. E ndiej si detyrim që të sqaroj opinionin për këtë gjë”, u shpreh numri një i klubit shkodran.