Largimet e nëpunësve civilë nga administrata, që kanë përfunduar në procese gjyqësore, i kanë kushtuar jo pak por mbi 511 milionë lekë apo rreth 4.1 milionë euro buxhetit të shtetit. Gjykatat kanë vendosur në favor të të larguarve duke kërkuar ekzekutim të pretendimeve financiare të tyre si dhe rikthim në pozicionet e punës që kanë mbajtur para se të largoheshin ose në një të ngjashëm.
Raporti i Komisionerit për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil i vitit 2019 nënvizon se konstatohen 601 vendime gjyqësore të formës së prerë të detyrueshme për tu ekzekutuar. Nga këto 236 vendime, ose 39% e tyre janë zbatuar dhe nëpunësit janë rikthyer në shërbimin civil, ose janë liruar nga shërbimi civil për shkaqe ligjore (pension i plotë pleqërie ose dorëheqje) dhe 365 vendime ose 61% e tyre, gjyqfituesit janë regjistruar në listëpritje, për tu sistemuar në një pozicion të rregullt të shërbimit civil.
“Sipas të dhënave të raportuara nga institucionet, rezulton se aktualisht është paguar nga buxheti i shtetit, në favor të nëpunësve gjyqfitues vlera prej 511.748.508 lekësh, në zbatim të vendimeve gjyqësore” thuhet në raport.
I njëjti nënvizon se në radhët e institucionve tashmë po diskutoher gjetja e mundëisve për të rikthyer në pozicione të larguarit në mëyrë që përfitimi i tyre financiar të mos vijë nga vendimi i gjykatave por të paguhen për punën që bëjnë. Insitucioni i Komisionerit të Mbikqyrjes së Shërbimit Civil duket se po lobon pikërisht në këtë drejtim në mënyrë që ndikimi në buxhet të jetë më i ulët.
“Procesi do të vijojë gjatë vitit 2020 me ndjekjen e zbatimit të vendimeve nga ministritë e linjës dhe do të vijojnë seancat dëgjimore me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, e cila ka rreth 143 vendime të pa ekzekutuara dhe me institucionet e administratës vendore dhe ato të pavarura” thuhet në raportin e Komsionerit për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil.
Kthimi në detyrë i nëpunësve gjyqfitues ishte pjesë e rezolutës së një viti më parë miratuar nga Kuvendi çka kërkonte ndjekjen e procesit dhe mënyrën sesi ishin zbatuar vendimet. Komisioneri ka raportuar se ka komunikuar dhe ka administruar të dhëna nga 208 institucione të administratës publike, ku përfshihen ministritë e linjës, institucionet e varësisë të administratës shtetërore; institucionet e pavarura dhe institucionet e administratës vendore, nga të cilat rezultuan me probleme 36 prej tyre (11 ministritë e linjës, 6 institucione në varësi të tyre, 11 bashki, 5 Këshilla Qarku dhe 3 institucione të pavarura). /Monitor/