Qeveria ka miratuar sot kriteret dhe masën e shpërblimit financiar për familjet e dëshmorëve të atdheut. Sipas vendimit, Shpërblimi financiar mujor për familjen e dëshmorit të atdheut caktohet në masën 7 000 (shtatë mijë) lekë.
Kur përfitues të shpërblimit financiar, sipas certifikatës së rrethit familjar të dëshmorit të atdheut në momentin e vd.ekjes së tij, janë më shumë se një person, atëherë personi që do të tërheqë këtë shpërblim duhet të pajiset me prokurë të lëshuar nga përfituesit e tjerë.
“Në rast se përfituesit, sipas certifikatës së rrethit familjar të dëshmorit të atdheut në momentin e vd.ekjes së tij, brenda 10 ditëve, nga njoftimi i dhënies së statusit “Dëshmor i atdheut” nga KQSDA, nuk bien dakord për pajisjen me prokurë të njërit prej tyre, atëherë masa e shpërblimit financiar mujor do të pjesëtohet sipas numrit të përgjithshëm të përfituesve”, thuhet në vendim.
KQSDA-ja i dërgon Institutit të Sigurimeve Shoqërore emrin e familjarit, që, sipas certifikatës së gjendjes familjare të dëshmorit të atdheut në momentin e vd.ekjes së tij, përfiton shpërblimin financiar, bashkë me një kopje origjinale të vendimit për dhënien e statusit “Dëshmor i atdheut”.
Kur familjari i autorizuar, sipas listës dhe vendimit të KQSDA-së për tërheqjen e shpërblimit, vd.es, kjo e drejtë i transferohet njërit prej pjesëtarëve të rrethit familjar. Në pikën 8 thuhet se trajtimi financiar për rrethin familjar të dëshmorit të atdheut fillon në datën e shpalljes së vendimit të KQSDA-së.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe fillojnë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.