Ministria e Brendshme e Ukrainës ka bërë një bilanc të luftës, duke thënë se deri tani kanë humbur jetën 352 civilë. Nga këta, 14 janë fëmijë. Ndërkohë të plagosur kanë mbetur 1684 persona, përfshirë edhe 116 fëmijë, raporton CNN.
Ndërkohë kryebashkiaku në detyrë i qytetit të Berdyansk, Oleksandr Svidlo ka thënë se forcat ruse kanë hyrë dhe kanë marrë kontrollin e qytetit.
Berdyansk, i cili ka një bazë të vogël detare, ka një popullsi prej rreth 100,000.
Svidlo postoi një mesazh për banorët e qytetit në faqen e tij në Facebook të dielën, ku thoshte:
“Pak orë më parë, ju dhe unë pamë se si pajisje të rënda ushtarake dhe ushtarë të armatosur hynë në qytet dhe filluan të përparojnë në të gjithë qytetin tonë. Sapo mësova për këtë , u përpoqa të informoj të gjithë banorët e qytetit që të keni mundësi të fshiheni në strehimore”.