Deputeti Tom Doshi ka reaguar pas kërkesave të vazhdueshme të ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim që të mos kandidojë në zgjedhjet e 25 prillit.
“Jam njeriu kyç që reforma në drejtësi kaloi në Parlament”- thekson Doshi në një reagim në hapje të fushatës së PSD-së, duke shtuar se “Jam një mbështetës i Amerikës dhe punës që ata kanë bërë”.
Doshi thotë se ka qenë mbështetës i SHBA që nga viti 1991.
“PSD është krijuar në 1991, ne jemi parti e qendrës, përfaqësojmë të majtë, të djathtë, të persekutuar, komunistët, të gjithë që kanë bindjet e tyre. Sloganin e kemi ‘Na jepni besimin t’ju kthejmë shpresën’. Shqiptarët janë të pashpresë, PSD-ja është e vetmja forcë që do t’ju kthejë këtë shpresë. Shqetësimi më i madh është korrupsioni.
Ju citoj thënie të Papës, “korrupsioni është si lebra, që sëmurë dhe vret shpresën”. Unë jam një mbështetës i Amerikës, ka qenë një shpresë për mua që në 1991 por punën më të madhe që ka bërë për shqiptarët, Amerika është reforma në drejtësi. Te kjo reformë unë jam njeriu kyç, që ajo reformë ka kaluar.
Në këto zgjedhje ne do të jemi forcë e tretë. Doktori i tamponëve kur më tha që kam bërë 19 mijë tamponë dhe askujt nuk i kam marrë një qindarkë, i thash ku mund të gjej një njeri që mund të përfaqësojë Tiranën më mirë se ty? 19 mijë tamponë me zero lekë, pa ambulancë.
Me makinë të vet. Jeni të gjithë figura të pastra, që s’mund t’ju akuzojë kërkush për korrupsion. Detyra jonë është të dhurojmë edhe buzëqeshje sikur ka thënë edhe Nënë Tereza”, tha ai.