Nëpërmjet një lidhje në “Skype” për emisionin “Sport News Plus”, në “News 24”, ish-trajneri i Laçit, Armando Cungu, bëri një analizë për sa i përket ecurisë të skuadrës kurbinase dhe situatës kaotike te Vllaznia. Gjatë prononcimit të tij, ndër të tjera, tekniku shkodran u shpreh:
“Nuk më vjen keq që u largova nga Laçi, futbolli i tillë është, por më vjen keq mënyra se si u largova. U pranua nga të gjithë vështirësitë e sezonit. Ishte një moment i vështirë për Laçin dhe për ekipet që morën pjesë në Europë. Fatkeqësisht Laçin e kapi virusi në fillim të kampionatit. Të njëjtat probleme kanë pasur edhe ekipet e tjera që morën pjesë në Europë.
Kam qenë i bindur se ata djemtë do të jenë më të rritur në aspektin profesional dhe në mënyrën se si do ta menaxhojnë veten. I kanë pasur mundësitë për të konkurruar për titullin. Nuk kam dyshuar në asnjë moment të vetëm që ky ekip do t’i afrohej kreut. Nuk është hera e parë që më ndodh kjo gjë, më ndodhi edhe para 2 vitesh me Kukësin. Keqardhje ka patjetër, por duhet t’i pranojmë.
Nuk jam dakord për kthimet. Janë gabim kthimet. Kur thyhet diçka është vështirë të ngjitet prap. Nuk më pëlqen të dorëzohem, por ndodhën ato situata. Kthimi i Brdariç nuk më le shije të mirë, i çuditshëm është edhe vendimi për ta larguar. Askush nuk e ka projektuar Vllazninë kampione, as për Kupat e Europës.
Nuk ka pasur asnjë gjë të shkruar apo logjike, për sa i përket titullit kampion. Vendimi mendoj është marrë nga diferenca e madhe e pikëve që ishin para disa javësh. Shpresoj dhe uroj që të gjehen ekuilibrat sa më shpejt. Gjithçka mund të ndodhë, uroj që Vllaznia të marrë përsëri kreun dhe ta mbyllë në krye.
Laçi është ekipi për t’u mundur. Është më i stabilizuar dhe ka rendiment rezultatesh. Partizani para derbit pati 2 ndeshje problematike para derbit. Laçi është më i stabilizuar. Të jep garanci për sa i përket garancisë. Duke njohur shumë faktorë, mendoj që Laçi do të jetë ekipi për t’u mundur në këtë sezon”, përfundoi Cungu.