Djali i një prej shoferëve që humbi jetën në aksidentin e rëndë në Kroaci ka treguar se i ati ka pushuar vetëm një natë.
Adhurim Sylametaj thotë për mediat kosovare se babai i tij është nisur 3-4 ditë më parë dhe ka pushuar vetëm një natë në Kroaci ku më pas të nesërmen në mëngjes janë nisur drejt Kosovës.
“Janë nisur para 3-4 ditëve, edhe në momentin që kanë mbërri, menjëherë, veç atë mbrëmje kanë pushuar dhe menjëherë të nesërmen në mëngjes rreth orës 09:00 janë nisur për në Kosovë. Herën e fundit kur kam folur me të ka qenë në momentin kur e kaluar kufirin Gjermani-Austri”, tha Sylmetaj
Sipas mediave kroate, fillimisht ka qenë shoferi Naser Sylmetaj i cili drejtonte autobusin por më pas ai është ndërruar me kolegun e tij.
Si pasojë e aksidentit, Sylmetaj nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve të marra. Në ngjarjen e frikshme kanë humbur jetën 10 persona dhe janë plagosur mbi 40 të tjerë.