Goce Sedloski ka qenë i kënaqur përgjysmë për barazimin ndaj Egnatias në Kupën e Shqipërisë. Trajneri i Vllaznisë ka bërë të qartë se pëlqente mënyrën se si reagonte skuadra, por edhe se kishte gabuar shumë në pasime.
“Ishte një ndeshje kërkuese, e luajtur në mënyrë korrekte nga të dy ekipet. Duhet të ndalojmë atë që na e realizon çdo kundërshtar, kundërsulmin.
Ndoshta duhej ta shënonim më herët atë gol, por duhet të jemi realistë dhe mendojmë që edhe me 1-0 ata kishin shanse dhe mund të dyfishonin rezultatin. Kam ardhur këtu të luaj një futboll sulmues, këtë jam munduar t’u injektoj lojtarëve.
Nuk është e lehtë të kuptohet menjëherë por edhe të ndalojmë kundërsulmet që na krijojnë kundërshtarët. Nuk mund të kem ndonjë kritikë kundrejt lojtarëve përveç gabimeve në pasime, por kur e sheh rezultatin 1-1, duke pasur parasysh që kemi më të paktën edhe 95 minuta të tjera, e dimë që të dielën na pret një ndeshje me të njëjtin kundërshtar, duhet të pushojmë mirë e përgatitemi mirë dhe ta presim këtë ndeshje si e dëshirojmë. I uroj të dy ekipeve dhe mbetet që rezultati të zgjidhet në ndeshjen e ardhshme.
Nuk kam ankesa ndaj lojtarëve, çdo ndeshje për ne është si një finale. Do të kemi ndeshje të tjera edhe për Kupë e kampionat dhe duhet të përqendrohemi. Për momentin jam i kënaqur, nuk është e lehtë të arrish menjëherë atë që kërkon. Por lojtarët janë të mirë dhe japin gjithçka nga vetja në stërvitje dhe ndeshje dhe shpresoj që rezultatet do të vijnë.
Egnatia është me të vërtetë një superekip me atë që kam parë, ndaj vendosa dy lojtarë para mbrojtjes. Në 10 minutat e parë kemi realizuar shumë goditje këndi dhe ne jemi gjithmonë në pritje të asaj që do të ofrojë kundërshtari. Djemtë luajnë në përgjithësi mirë, por vetëm të mos gabojnë në pasimet që bëjnë.
Unë do të vazhdoj të aplikoj të njëjtin futboll si deri më sot, ky është stili im. E di edhe atë që pëlqejnë sportdashësit, futbollin ofensiv, por na ka ndodhur një goditje se na u dëmtua lojtari e na u desh të ndryshonim formacionin. Por do të vazhdojmë me të njëjtin stil e ritëm. Atë që na pëlqen më shumë në futboll.
Nuk do të mbrohemi, se kemi ndeshjen tjetër, e kemi parë edhe vetë se si jemi paraqitur. Mbase mund të kthehemi në ndeshjen tjetër të mbrohemi. Jemi mbrojtur kur duhet, edhe sot, edhe ndaj Tiranës, kur duhet të qëndrojmë në mbrojtje, e bëjmë në bllok. Por gjatë ndeshjes në përgjithësi, do të aplikoj futboll sulmues, ato shanset që kemi duhet t’i shënojmë. Do të ishte krejt ndryshe nëse lojtarët do të shënonin menjëherë golin e parë, mendoj se do të jetë në rregull gjithçka”, tha Sedloski për “Oversport” në fund të ndeshjes.