Portugalia është finalistja e parë e Ligës së Kombeve, teksa ka arritur që të fitojë 3-1 gjysmëfinalen ndaj Zvicrës. Në “Estádio do Dragão”, ka qenë një mbrëmje magjike për Cristiano Ronaldon, i cili ka shënuar të tre golat e ndeshjes.
Ylli portugez shënoi një gol spektakolar nga goditja e dënimit, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit kundërshtar. Ky ishte goli i parë nga goditja e lirë për portugezin. Në pjesën e dytë, gjyqtari i ndeshjes Felix Brych vërshëlleu për penallti për Portugalinë në minutën e 56-të, por pak sekonda më para kishte ndodhur një tjetër episod i dyshimtë.
Gjyqtari gjerman shkoi për të parë pamjet e përsëritura në VAR, teksa vendosi për të akorduar 11-metërsh, por në krahun tjetër. Një episod i rrallë që ndodh për herë të parë që nga futja e teknologjisë në futboll. Nga pika e parë, Rodriguez do të arrinte që të gjente rrugën e rrjetës.
Gjithsesi portugezët janë me fat që kanë në skuadër Cristiano Ronaldon. Sulmuesi i Juventusit shënoi dy gola shumë të bukur brenda dy minutave, një pas një topi të ardhur nga krahu i djathtë, ndërkohë që në të dytën me një kundërsulm të shpejt dhe një driblim të bukur arrin që të shënojë sërish dhe të marrë topin në shtëpi.